Shumë presion në Madrid, eskortë për Ronaldo e Kaka
Kristiano Ronaldo do të jetë lojtari i parë i Real Madrid që do të ketë truproja personale për ta mbrojtur nga fansat dhe admiruesit, të cilët të hënën kanë demonstruar se çmenden pas portugezit. Lajmi i referohet të përditshmes "El Pais". As David Bekham nuk kishte tërhequr një vëmendje të tillë. Anglezi në fakt lëvizte me disa truproja private të paguara nga një sponsor, por nuk i lejohej t‘i merrte në ndeshjet në transfertë. Reali, i cili në kohën e Bekhamit kishte 8 roje private për mbrojtjen e lojtarëve të tij, tashmë ka 16 të tillë për të ruajtur mbi të gjitha dy blerjet e reja: portugezin dhe Kakanë. Drejtuesit e klubit janë të bindur se rojet private do të jenë të nevojshëm për Ronaldon, qoftë edhe vetëm për të dalë nga shtëpia. Në prezantimin e tij të hënën nuk kanë munguar në fakt personat, që kanë depërtuar në fushë për ta prekur, apo ata që e kanë ndjekur me makina kur ka dalë nga "Bernabeu". Presioni shtohet edhe nga shtypi rozë i Spanjës, i cili e ka shtyrë futbollistin të martën në mbrëmje të marrë avionin dhe të kthehet në Lisbonë, lajmëronte "El Mundo". Dyqani i stadiumit ka shitur vetëm të hënën pasdite 3000 bluza me emrin e portugezit. Shitjet, gati dy në minutë, vetëm në orën 14.00 kishin grumbulluar shumën prej 40.800 euro.