Juve merr Melon, pritet zyrtarizimi
Për kalimin e Felipe Melos te Juventus mungon vetëm zyrtarizimi. Menjëherë pasi Korvino, drejtori sportiv i Fiorentinës, kishte folur për një interesim të Arsenalit, duke mohuar tratativën me bardhezinjtë, drejtuesit e Juventusit i kërkuan një takim për të përfunduar transferimin. Kjo marrëveshje do të mbyllet mbi bazat e 20,5 milionë eurove plus kartonit të Markionit, të vlerësuar 5 milionë euro. Njoftimi zyrtar do të duhet të mbërrijë në orët e ardhshme. Takimi kokë më kokë mes drejtuesve të dy klubeve ka ndodhur në Rexhio Emilia. Felipe Melo në Torino do të ketë një kontratë 5-vjeçare, sikurse është bërë e ditur nga "Calciomercato.com". Por menjëherë pasi u njoftua lajmi për një marrëveshje të tillë presidenti i bardhezinjve, Koboli Xhijli, kërkon më shumë durim: "Akoma nuk është mbyllur asgjë, do të ketë takime të tjera me Fiorentinën. Të rejat do t‘jua komunikojmë ne".