E Diel, 1 Nëntor 2026

Galiani, njeriu i Berluskonit: “U mrekulluam nga pritja”



Administratori i deleguar i Milanit e njëherësh numri dy i kuqezinjve, Adriano Galiani, edhe pse nuk mundi të vinte në Tiranë për shkak të impenjimeve të rëndësishme që ai kishte në agjendën e ti, ishte i “pranishëm” për publikun shqiptar përmes një video-mesazhi. “Do të doja shumë të isha me ju në Tiranë, por për shkak të punëve nuk munda dot. Megjithatë, dua t’i falënderoj për pritjen e ngrohtë kur erdhëm me Milanin. Po ju jap disa lajme të mira. Nisur edhe nga eksperienca e parë e bukur e “Taci Oil Albania”, Milani do të vijë sërish në Tiranë, besoj nga muaji shtator, do të zgjidhet një ditë e mërkurë, kur do të ketë ndeshje të ekipeve kombëtare, për të luajtur ndeshjen e dytë për trofeun ‘Taçi Oil Albania Reads”. Nga ana tjetër, dëshiroj t’iu jap lajmin se do të sjellim në Tiranë, në datat 16 e 17 maj në sheshin “Nënë Tereza” (“Di Kalkuta”, theksoi Galiani) kampin “Milan Park Tirana”, ku do të kenë mundësi të argëtohen të gjithë fëmijët se bashku me miqtë e familjet e tyre. Së fundi, “Milan Junior Camp” do të jetë sërish në Tiranë, ku nga 300-400 fëmijë që do të marrin pjesë, pesë prej tyre do të vijnë në “San Siro” në fund të muajit gusht. Forca Milan, forca Tirana” – e përfundoi mesazhin

“Virusi” i Interit

Për fatin e keq të organizatorëve italianë të konferencës, kompjuteri prej së cilit realizohej video-mesazhi “ngeci” dy herë. “Një mijë herë e kishim provuar gjatë testimeve dhe na eci për mrekulli, kësaj radhe që ishte zyrtare na eci ters”, -e kaloi me shaka Daniele Masaro. “Është për shkak të virusit të dërguar nga Interi”, - thirri me shaka një i pranishëm në sallë.

37 kampingje në botë

Këtë vit në 37 kampingjet “Milan Junior Camp” në pesë kontinentet do të marrin pjesë 15 mijë djem e vajza.

“Bilanci” i Milanit

Milani është sinonim jo vetëm i lavdisë italiane e futbollit spektakolar, por nga viti 1899 (vit i themelimit) ka në muzeun e tij 17 kampionate në Serinë A, 7 Liga Kampionësh, 3 Kupa Interkontintetale, 1 Botëror për klube, 4 Superkupa Europiane, 5 Superkupa të Italisë, 3 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa të Kupave.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›