Taçi: “Po jua sjell sërish Milanin në Tiranë”
Edhe pse tani është “regjur” me futbollin e spektaklin që të dhuron ai, Rezart Taçi, presidenti i kompanisë “Taçi Oil International”, nuk mundi të fshehë emocionet gjatë fjalës së tij përshëndetëse në konferencën për shtyp për promovimin kampingut të dytë të “Milan Junior Camp Tirana”, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati edicioni i kaluar, ku morën pjesë rreth 350 fëmijë të moshave nga 8 deri në 16 vjeç.
“Të jesh promotori i këtij aktiviteti çdo vit është një kënaqësi e madhe. Është shumë e rëndësishme për një kompani të re, si ‘Taçi Oil International’ të jetë i pranishëm në iniciativat, të cilat ndihmojnë vendin tonë të rritet, dhe kjo me Milain është një rast i mrekullueshëm për t’u dhuruar një ëndërr të rinjve shqiptarë. “Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë zotin Galiani, administratorin e deleguar të Milanit dhe një prej miqve më të mirë të Shqipërisë, pasi me emrin e Milanit, imazhin që ai përçon, yjeve të tij që erdhën në Shqipëri, duke qenë një ngjarje e madhe për sportdashësit shqiptarë. Dëshiroj të falënderoj Fabricio Galianin, djalin e Andrea Galianit, i cili ka ardhur këtu me porosinë e të jatit për të njohur dhe ai nga afër pritjen e ngrohtë që të jep vendi ynë. Dua të falendëroj Galianin edhe për një dhuratë të jashtëzakonshme që më bëri, kur më dha në Milano një fanellë të Milanit për djalin tim dy muajsh, Ilirin”, - tha Taçi, duke falendëruar edhe një ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia”.
Këtë vit kampingu do të zhvillohet nga datat 6 deri më 10 korrik 2009, ku ashtu si dhe vitin e kaluar do të përzgjidhen pesë fëmijët më të dalluar e premtues, të cilët do të ftohen në Milano për të marrë pjesë në një ceremoni të madhe në “San Siro” së bashku me djem të tjerë që do të vijnë nga kampinget e tjera “Milan Junior Camp” nëpër botë.
Vitin e kaluar këtë fat e patën Andriko Gurma, Dean Lici, Mikel Brahlika, Erli Çupi dhe Alketo Gjipali, të përzgjedhur midis 350 fëmijëve për të marrë në pjesë në shoun e madh të “Milan Junior Day” (MJC), të organizuar në Milano nga data 18 e 19 tetor. Në “MJC” morën pjesë më shumë se 300 fëmijë e të rinj të ardhur nga rreth 30 vende të ndryshme të botës ku u zhvillua “MJC 2008”.
Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, e vlerësoi bashkëpunim midis Milanit e “Taçi Oil International”, duke e ndjerë veten shumë të nderuar. “Ky është bashkëpunimi më i bukur midis të rinjve italianë me ata shqiptarë, i popullit italian me atë shqiptar. Është një lidhje që bashkon dy gjenerata”.
Kampingu i parë i Milanit
“Milan Camp Junior Tirana” u organizua për herë të parë në Shqipëri në verën e vitit 2008, nga data 30 qershor deri më 4 korrik, në të cilën morrën pjesë reth 350 fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç. Fëmijët u trajnuan nga grup prej 13 trajnerësh italianë të ardhur enkas nga Italia. Sarandioti i vogël Andriko Gurma u përzgjodh nga stafi teknik si lojtari më i talentuar i turneut duke “pronësuar” edhe bluzën origjinale me numër të firmosur nga vetë kapiteni legjendar i Milanit, Paolo Maldini.
Gurma mahniti specialistët
Një talent shqiptar i dalë nga “Milan Junior Camp Tirana” mahnit specialistët në “Milan Junior Day” (MJC). Andriko Gurma, idhulli i të cilit është Andrea Pirlo, shënoi golin që çoi skuadrën “shumëkombëshe” të tij në finale, e më pas magjinë e tij i dha asaj edhe trofeun e “Milan Junior Day”. Një tjetër kujtim i bukur i “binjakëzimit” të futbollit shqiptar me atë italian, pas pjesëmarrjes së Milanit në trofeun e parë ndërkombëtar “Taçi Oil Albania Reads”, i fituar nga Tirana (2-1).
Pesë shqiptarë në “San Siro”
Pesë fëmijët më të talentuar të kampingut shqiptar të Milanit, Andriko Gurma, Dean Lici, Mikel Brahlika, Erli Çupi dhe Alketo Gjipali, të përzgjedhur midis 350 fëmijëve për të marrë në pjesë në shoun e madh të “Milan Junior Day” (MJC), të organizuar në Milano nga data 18 e 19 tetor. Një festë tradicionale, që mbyll për këtë vit kampet kuqezi në shumë vende të botës të organizuara si në Tiranë. Në “MJC” morën pjesë më shumë se 300 fëmijë e të rinj të ardhur nga rreth 30 vende të ndryshme të botës ku u zhvillua “MJC 2008”.
23 Prill 2009