E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës harron Festivalin e Gjirokastrës

Letra që Forumi për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore të Gjirokastrës i dërgon ministrit Turku: “Nuk duam një Festival shkel e shko”

Petrika GROSI
Në kohën kur mungojnë vetëm pesë muaj, për të mbërritur në ditët e zhvillimit të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës duket se mungojnë krejt parapërgatitjet e terrenit, strukturës dhe infrastrukturës së këtij evenimenti. Alarmin e jep kryetari i Forumit për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore të Gjirokastrës, Agim Mero dhe akademiku e muzikologu Vaso Tole. Sikur të mos mjaftonte shtyrja absurde e datës të këtij festivali një vit më vonë, sipas logjikës që viti i kaluar koinçidonte me përvjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, tashmë specialistët e fushës janë të shqetësuar për zhvillimin me seriozitet dhe madhështinë që meriton të këtij aktiviteti mbarëkombëtar që mbështetet financiarisht nga MTKRS-ja dhe zhvillohet njëherë në çdo katër vjet. Duke u nisur nga kjo situatë e krijuar, në letrën që Forumi për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore të Gjirokastrës i ka nisur kohët e fundit ministrit të Turizmit dhe Kulturës Ardian Turku mes të tjerash thuhet se “Forumi ynë, po ju drejtohet me këtë ‘Kujtesë’, në cilësinë tuaj, si kryetar i Komitetit Organizativ të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 2009. Siç jeni në dijeni, FFK i Gjirokastrës do të mbahet nga data 24-29 Shtator 2009 në qytetin muze të Gjirokastrës, ‘Pasuri kulturore e njerëzimit’, mbrojtur nga UNESCO. Megjithëse koha normale e organizimit të tij, referuar statutit ishte 2008, pra një herë në katër vjet, Festivali u shty për t`u organizuar në vitin 2009. Arsyeja që po ju shkruajmë lidhet me faktin se FFK i Gjirokastrës nuk përfaqëson një aktivitet të thjeshtë kulturor, i cili konsiston vetëm tek disa ditë koncerte dhe veprimtari të tjera, që ndodhin në skenën e Kalasë së Festivalit. Festivali është së pari një akt publik shumë më i madh, më i rëndësishëm dhe i përgjegjshëm i politikës kulturore, që shteti shqiptar merr përsipër të zbatojë, me seriozitet, standarde dhe transparencë përpara shtetasve dhe kulturës së vet.” Më tej, në “Kujtesën” që i adresohet përmes gazetës “Albania” ministrit Turku thuhet: “Me keqardhje konstatojmë se për organizimin me sukses të FFK-së pothuajse nuk flitet fare dhe përgatitjet në të gjithë vendin janë shumë të vonuara. Për dijeni, fazat e organizimit të FFK-së, përfshijnë gjithë vitin e organizimit të tij, duke bërë pjesë të organizimit me mijëra bartës të folklorit anë e mbanë Shqipërisë, me dhjetra e qindra specialitë të fushës, si dhe të gjitha institucionet qëndrore e vendore të shtetit shqiptar. Realisht FFK përfaqëson një energji pozitive që shkund gjymtyrët e institucioneve shtetërore, atyre private dhe shoqatave kulturore, së bashku me ato të individëve, në funksion të pohimit të identitetit europian të shqiptarëve. Me këtë rast, gjithë Shqipëria përfshihet në një organizim kulturor gjithëvjetor, për të kulmuar gjatë ditëve të festivalit. Gjithshka me vlerë rivlerësohet, traditat ri-interpretohen dhe përcillen nga brezi në brez, përgjatë një procesi kulturologjik dhe edukimi i cili ndodh në gjithë Shqipërinë, për shkak të organizimit të FFK-së. Shqipëria është në një garë artistike me veten. Për sa më sipër, fatkeqësisht nuk po shohim seriozitet dhe përkushtim për organizimin e tij dhe për të nuk flitet pothuajse fare as në shtyp dhe as në organizimin e koncerteve apo aktiviteteve në kuadër të tij.” Në këtë letër theksohet gjithashtu, fakti se askush nuk ka nevojë për një festival të dobët dhe shkel e shko, sa për të kaluar radhën. Letra mbyllet me këto fjalë: “Ne besojmë se jemi të vonuar në organizimin e Festivalit dhe për këtë arsye sollëm modestisht në vëmendjen tuaj këtë ‘Kujtesë’, në emër të qytetarisë gjirokastrite, për të përshpejtuar ritmet e punës dhe për të marrë masat e duhura për garantimin e një festivali cilësor.”

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›