Hiroshima përkujton masakrën atomike
Japonia përkujtoi dje 65 vjetorin e masakrës atomike, nga bomba që SHBA hodhi mbi Hiroshimë. Për herë të parë në ceremoninë e këtij viti morën pjesë edhe përfaqësues amerikanë. Mijëra njerëz janë mbledhur në qytetin e Hiroshimës për inaugurimin e një statuje që do të bëhet pikërisht në momentin kur ra bomba atomike, e cila vrau rreth 140 mijë vetë. Në ceremoni morën pjesë dhe përfaqësues të Britanisë, Francës dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. “Kam ardhur këtu për të përcjellë një mesazh shprese, një mesazh paqeje. Për momentin jemi në një udhëkryq. Duhet të arrijmë në një botë pa armë bërthamore”, tha Ban Ki Moon.