E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gallup: Shqiptarët besojnë në NATO e BE, jo te drejtësia

NATO dhe Bashkimi Europian mbeten institucionet më të besuara në vend, ndërsa gjyqësori kohët e fundit ka përjetuar një rënie në nivelin e besimin të qytetarëve, nivel i cili aktualisht është në shifrën 31% e të anketuarve (- 13 për qind më pak se një vit më parë). Lëvizja Europiane në Shqipëri ka publikuar të dhënat e sondazhit të “Gallup Balkan Monitor: Zërat e Ballkanit”, i realizuar nga EFB dhe Gallup Europe. Pjesa e të anketuarve që deklaruan se mund të mbështeteshin tek miqtë apo familjarët e tyre jashtë vendit, në rastet kur ata kanë nevojë, është ulur me 9 %, në krahasim me vitin 2009 (ku kjo përgjigje mbante vlerën 45%). 1/3 e të anketuarve, ose ndryshe 34% e tyre, ndjejnë se situata ekonomike në Shqipëri është drejt përkeqësimit, vlerë kjo e cila ka pësuar rritje nga 2009, e cila ka qenë në nivelet 26%. Mbështetja e shqiptarëve për Integrimin Europian mbetet ndër më të lartat në rajon me 81%, vlerë e cila ka pësuar një rënie prej 8%, në krahasim me një vit më parë. Në rastin e organizimit të një referendumi, nëse Shqipëria meriton të anëtarësohet në BE, një pjesë e madhe e shqiptarëve, rreth 93% e tyre do të votonin “Po” hyrjes së Shqipërisë në BE. Mesatarisht, shqiptarët besojnë se Shqipëria do të hyjë në BE në vitin 2014. Një pjesë në rritje e të anketuarve (69%) besojnë se popullsia e vendeve anëtare të BE dëshirojnë që Shqipëria të anëtarësohet në BE. 48% e shqiptarëve të anketuarve përgjigjen se ata aprovojnë punën e liderëve të tyre politik. Një zhvillim paralel është rritja e numrit të shqiptarëve, që ndjehen të përfaqësuar nga një parti apo një politikan - aktualisht 60% e tyre ndjejnë se liderët politikë flasin në emrin e tyre. Kjo është përqindja më e lartë në rajon. Roli shoqëror i fesë duket se po rritet: që nga viti 2006, përqindja e njerëzve të deklaruar se, feja luan një rol të rëndësishëm në jetën e tyre është rritur nga 33% në 44%. Pavarësisht një rënie të lehtë, Shqipëria ende ka normat më të larta, deri më tani, 49% e individëve kanë deklaruar se iu është dashur të paguajnë nën dorë vitin e kaluar. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve (35%, më shumë se kudo tjetër në rajon), deklarojnë se niveli i krimit të organizuar është në rënie dhe njerëzit janë të bindur se qeveria ka qenë efektive në luftën kundër krimit të organizuar (40%, 3 pikë më shumë se një vit më parë). 42% e të anketuarve kanë deklaruan se do të emigronin nëse do të krijoheshin rrethanat e duhura. Vetëm rreth 6% e të anketuarve, ose ndryshe rreth 135.000 individë, kanë plane konkrete për t’u larguar nga vendi në vitin e ardhshëm. (bazuar në përllogaritjet e rezultatet e anketës me numrin e përgjithshme të popullsisë). 2/5 e shqiptarëve besojnë se liberalizimi i vizave do të sjellë një rritje të fuqishme të emigracionit. Mbështetja për krijimin e Shqipërisë së Madhe – e përbërë nga popullsitë shqiptare në trevat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë – ka pësuar rënie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›