Topalli: Për zgjedhjet sa më shumë vëzhgues
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi dje një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut. Gjatë takimit, Topalli theksoi rëndësinë që ka vazhdimi i përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe angazhimi për zgjedhje të lira, transparente dhe të ndershme sipas standardeve evropiane. “Ne jemi vend demokratik, dhe sistemi jonë ka si parim themelor votën e lirë, respektin për Kushtetutën dhe detyrimet kushtetuese. Ne besojmë në këto parime”, - tha Kryetarja e Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e dërgimit të sa më shumë vëzhguesve të OSBE, për monitorimin e zgjedhjeve vendore. Rinumërimi i votave nga Prokuroria në Shkodër, sipas saj, ishte dëshmia absolute e standardeve më të larta të zgjedhjeve të 28 Qershorit.