E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq dosja e shpërndarësve të heroinës

07/12/2009  Tre të pandehurit janë Alban Shahini, Klodian Sejfullai dhe Astrit Beka

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet ndaj tre personave, që konsideroheshin nga policia si shpërndarësit më të mëdhenj të heroinës në kryeqytet. Ata janë të pandehurit Alban Shahini, Klodian Sejfullai dhe Astrit Beka, të cilët akuzohen nga organi i akuzës për veprën penale të “prodhim dhe shitje te narkotikeve”, kryer në formën e mbajtjes dhe shpërndarjes, “vjedhje” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë. Dosja me nr. 2229 është dorëzuar në gjykatën e Tiranës dhe pritet që shumë shpejt të fillojë shqyrtimi nga gjyqtari Bujar Krasniqi. Sipas kërkesës së gjykimit të Prokurorisë, ndalimi i tre të pandehurve të sipërcituar ka ndodhur në rrugën “Ali Demi”, pasi ishin nisur për të shitur një sasi heroine. Nga të dhënat hetimore mësohet se prej rreth një muaji kishte nisur hetimi për këta persona. Organi i akuzës bëri me dije se të pandehurit janë mbajtur nën vëzhgim derisa ranë në prangat e policisë. Në kohën e operacionit, ata kanë qenë duke lëvizur me një mjet me targa TR 0078 K, kur janë bllokuar nga policia. Ndalimi i tyre u bë rreth orës 12:30 në rrugën “Ali Demi” dhe gjatë kontrollit në mjetin e lartpërmendur u gjetën 15 gramë heroinë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 31-vjeçari Sejfullai mendohet se jetë kreu i këtij rrjeti, ndërsa 33-vjeçari Shahini dhe 37-vjeçari Beka merreshin me shpërndarjen e saj. Nga marrja në pyetje, tre të pandehurit nuk kanë pranuar akuzën, duke pretenduar se ata janë të pafajshëm. Mirëpo përtej kësaj, Prokuroria ka grumbulluar prova, se tre shtetasit kanë marrë pjesë edhe në disa vjedhje, pasi krahasimi i gjurmëve të gishtave, ka zbuluar identitetin e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›