E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot vendoset fati i shkarkimit të prokurorëve të Tiranës e Durrësit

07/12/2009  Këshilli do të vendosë nëpërmjet votimit. Ndaj tyre ishte filluar procedim disiplinor

TIRANE- Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme do të vendosë sot shkarkimin ose jo të dy prokurorëve Aleksandër Plepit dhe Ilir Gjevorit, ndaj të cilëve Ina Rama ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor. Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime pranë organit të akuzës qendrore, të cilat thanë se ditën e sotshme në orën 09:00, këshilli do të zhvillojë mbledhjen e fundit të këtij viti. Gjatë mbledhjes, mësohet se anëtarët, do të votojnë shkarkimin ose jo të prokurorit të Tiranës Aleksandër Plepit si dhe prokurorit të Elbasanit Ilir Xhevori. Pikërisht këta dy emra dyshohet se gjatë punës së tyre hetimore kanë kryer shkelje procedurale, që sipas këndvështrimit të Kryeprokurores Ina Rama ata duhet të japin llogari përpara anëtarëve të këshillit. Mësohet se Drejtoria e Inspektimit pranë Prokurorisë, ka gjetur një sërë shkeljesh për prokurorin Plepi. Burimet thanë se këto shkelje ai i ka kryer gjatë kohës kur ka shërbyer në Prokurorinë e Laçit. Ndërkohë një tjetër njollë e zezë për prokurorin Plepi është edhe një procedim penal që është filluar për të nga Prokuroria e Durrësit. Ai akuzohet për veprën penale të “ndikimit në personat që kryejnë funksione publike”. Çështja e tij flet lidhur me uljen e dënimit të një të burgosuri që gjykohej nga Gjykata për Krime të Rënda. Ky nder sipas organit të Prokurorisë do të kryhej kundrejt shumës prej rreth 50 mijë eurosh, të cilën e kishin ofruar dy qytetarë nga Vlora. Ndërkohë për sa i përket prokurorit të Elbasanit Ilir Gjevori, me urdhër nr. 196 të datës 5 Tetor 2009 Kryeprokurorja Ina Rama ka vendosur fillimin e procedimit disiplinor ndaj tij. Ky i fundit nuk ishte paraqitur prej disa seancash rresht, por pas disa njoftimeve të njëpasnjëshme, Gjevori ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë, në të cilin ka dhënë edhe argumentet e tij, lidhur me akuzat e ngritura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›