Ska justifikim, dua kokën e Skënderbeut

Hulian Rubio
Tirana/ Trajneri Hulian Rubio ul tensionin: Është një ndeshje si gjithë të tjerat.
Për trajnerin e Tiranës Hulian Rubio, sfida me Skënderbeun nuk duhet parë si finalja e madhe e kampionatit. Në këtë këndvështrim duket sikur tekniku dëshiron të ulë sadopak tensionin dhe presionin para këtij takimi. Kjo pasi më tej vetë ai pohon se nuk pranon asnjë justifikim për këtë ndeshje, më së shumti nga ata lojtarë që në ndeshjet e fundit kanë qenë të dëmtuar dhe nuk kanë dhënë 100 për qind të mundësive të tyre. Në këto momente, ajo që mund të them është se pavarësisht ndonjë problemi, në të tilla ndeshje nuk ka justifikime. Siç e dini, ne kemi pasur disa lojtarë të rëndësishëm që kanë pësuar dëmtime dhe ndoshta nuk janë në formën e tyre më të mirë, pasi mund të kenë 3-4 javë pa luajtur, por e theksoj se nuk duhen gjetur justifikime, ndaj çdokush duhet të japë më të mirën në fushë. Finalja e Superkupës? Mendoj se do jetë një ndeshje mes dy skuadrave që janë në kryesim të kampionatit, që kanë lojtarë cilësorë dhe që duan me çdo kusht që të fitojnë. Nuk mund të them se do jetë e njëjta ndeshje edhe se disa gjëra kanë ndryshuar si te Tirana dhe te Skënderbeu në krahasim me ndeshjen me Superkupën, për sa i përket lojës por edhe organikave, ka pohuar fillimisht tekniku i Tiranës. Spanjolli nuk harron të përmendë edhe Teutën, e cila mund të përfitojë nga përplasja e dy kryesueseve dhe të marrë kryesimin e kampionatit. Është një ndeshje si gjithë të tjerat: e vështirë dhe përballë një kundërshtari që ka cilësi në organikën e vet. Por unë nuk e shoh vendimtare, pasi në lojë për titull nuk është vetëm Tirana dhe Skënderbeu, por edhe Teuta. Sipas meje bëjmë gabim nëse harrojmë këtë skuadër, e cila është aty me pikë të barabarta me ne dhe me një kalendar që teorikisht i lejon të shpresojë po aq sa ne për titullin. Pastaj Teuta ka bërë 7-8 ndeshje më pak se ne, pasi nuk luan në Kupë. Në këtë këndvështrim është e pozicionuar vetëm te një objektiv: te kampionati, ndaj duhet pasur parasysh. Parashikimi? Ne po përgatitemi seriozisht dhe do bëjmë lojën tonë. Në fund të 90 minutave lojë nëse kemi bërë më mirë se kundërshtari, atëherë do të thotë se do jemi ne ata që do i gëzohen trepikëshit të radhës, përfundon Rubio.
Presidenti
Në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Tiranës pritet të jetë prezent edhe presidenti i vendit, z.Bamir Topi, i cili njihet si një mbështetës i madh i ekipit kryeqytetas. Ndonëse akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht, kreu i shtetit do të jetë pikërisht të shtunën në Korçë për një aktivitet tjetër të rëndësishëm, ku do të nderojë me një titull të veçantë grupin karakteristik Lira. Pritet që pas këtij aktiviteti Presidenti të jetë në stadium për të parë dhe mbështetur skuadrën e tij, Tiranën.
LEONARD KARAJ