E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara, gazsjellësi “Trans Adriatik”, probleme në Shqipëri dhe Greqi



Albert Gjoka

BRINDISI – Realizimi i gazsjellësit “Trans Adriatik” ka probleme në Shqipëri dhe Greqi. Një konstatim i tillë është bërë në takimin e zhvilluar dje në Brindizi nga aksionerët e këtij projekti dhe autoritetet italiane. Për herë të parë është deklaruar se ky projekt ka rival të tij gazsjellësin “South Stream” (Rrjedha e Jugut) i financuar nga Gazprom-i. Autoritetet italiane janë shprehur se situata është disi konfuze pasi rrjetet ndërkombëtare të naftës dhe gazit parashikojnë që në brigjet e Brindizit të përfundojnë katër tubacione të mëdha. Por, ai projekt që do të arrijë të gjejë financimin dhe të përfundojë në kohë, do të ketë mundësinë që të gëzojë mbështetjen e Italisë dhe të fitojë në garën për të kapur tregjet europiane.
Takimi
Përfaqësues të lartë të qeverisë italiane, menaxherët dhe aksionerët e projektit të gazsjellësit “Trans Adriatik” janë takuar dje në Brindizi. Gjatë prezantimit të projektit, për herë të parë është njoftuar se bashkë me kompaninë zvicerane “EGL”, është bashkuar edhe gjiganti shtetëror norvegjez, “Statoil”, një ndër kompanitë më prestigjioze në ndërtimin e linjave të transportit të naftës dhe gazit në Europë. Projekti me vlerë 1.5 miliardë euro pritet të nisë në vitin 2011. Brenda dy vjetësh përfundon edhe studimi mjedisor. Gjatësia e këtij gazsjellësi është 500 milje dhe konsiderohet më i shkurtri në korridoret jugore të gazit. Fillimisht do të ketë një kapacitet prej 10 miliardë m3 gaz dhe parashikohet që brenda një kohe të shkurtër të transportojë drejt tregjeve perëndimore me një kapacitet prej 20 miliardë m3 gaz. Diametri i tubacioneve është rreth 1.2 metra.
Gara
Por, projekti që ka parashikuar të marrë gazin nga Azerbajxhani dhe zona të tjera përreth po has probleme. Në takimin e zhvilluar në Brindizi u konstatua fakti se Shqipëria dhe Greqia, si dy vende ku kalon gazsjellësi transit në këto territore, kanë ende probleme. Në Shqipëri është parashikuar që të ketë një stacion rigazifikimi në qytetin e Fierit, në pjesën veriore, shumë pranë qytetit të Vlorës. Menaxherët e TAP firmosën pak ditë më parë një Memorandum Mirëkuptimi me Turqinë. Greqia shtroi për diskutim para dy javësh këtë projekt dhe u shpreh dakord që Shqipëria të jetë pjesë e territorit ku do të kalojë gazsjellësi.
Por, autoritetet italiane konstatojnë se ka një garë të ashpër mes kompanive dhe interesave gjeo-ekonomike për tubacionet që do të mbërrijnë në brigjet italiane. Të paktën katër projekte janë paraqitur deri tani. Ndër më kryesoret është “Rrjedha e Jugut” (South Stream), i mbështetur nga Rusia dhe i financuar nga Gazprom-i. Edhe ky projekt synon që të furnizojë tregjet perëndimore. “Situata është disi kaotike”, - shprehen autoritetet italiane. Por, TAP gëzon mbështetjen e një pjese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, burimet që ka Azerbajxhani janë të pamjaftueshme për të garantuar furnizimin me gaz të këtij rrjeti dhe për të garantuar furnizim normal për konsumatorët. Gazsjellësi “Trans Adriatik” është i vetmi projekt i parashikuar për të kaluar transit në vendin tonë, ku pritet të ndërtohet edhe një qendër rigazifikimi. Ndërsa projektet e tjera, përfshirë edhe “Rrjedhën e Jugut” të Gazprom-it, kanë përjashtuar Shqipërinë, duke i kaluar fare pranë territorit të tij.

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›