Gara në PD, Mustafaj takim sekret me Uidhers
Një javë e ngjeshur takimesh me diplomatë për kandidatin për PD-në e Tiranës, Besnik Mustafaj. Diskutohet situata politike në vend
TIRANË- “Ishte një bisedë mes miqsh”. Vetëm kaq deklaron deputeti dhe kandidati për Partinë Demokratike të Tiranës, Besnik Mustafaj, për dreken e djeshme krejt sekrete me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, në një nga restorantet në periferi të Tiranës. I kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, Besnik Mustafaj thotë se ishte një drekë “shumë shumë miqësore”. Por nuk komenton asgjë më tepër për çfarë ka biseduar me diplomatin amerikan. Ditët e fundit, ish-shefi i diplomacisë shqiptare dhe aktualisht protagonisti kryesor i zgjedhjeve të brendshme në PD, ka pasur disa takime me diplomatë të rëndësishëm në Tiranë, ku në çdo njërën prej tyre mësohet të jetë prekur gjerësisht reforma në drejtësi, kodi elektoral dhe fushata për zgjedhjet në PD-në e Tiranës. Nga burime të sigurta mësohet se dy ditë më parë, Besnik Mustafajka pasur një darkë edhe me ambasadoren franceze në Shqipëri, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Pikërisht për këtë arsye, gjatë këtij takimi mësohet të jetë folur kryesisht rreth raportit të Komisionit Evropian, që u publikua po atë ditë. Megjithatë, Besnik Mustafaj nuk ka pranuar të bëjë zyrtare asnjë prej bisedave që ka zhvilluar qofte me ambasadoren franceze, ashtu edhe me ambasadorin amerikan.
Takimet
Ndërkohe, ka qenë krejt i hapur për t’i komunikuar medias një tjetër takim të zhvilluar së fundmi me ambasadorin gjerman në Tiranë Bernd Borchardt. Më këtë të fundit, krahas diskutimit për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore është prekur jo pak edhe ecuria e fushatës zgjedhore në degën e Partisë Demokratike për Tiranën. Ashtu siç është bërë e ditur edhe në njoftimin për shtyp, Mustafaj e ka siguruar diplomatin e lartë gjerman se ai është i vendosur për të zhvilluar një garë serioze, e cila do t’i shërbejë demokratizimit të brendshëm të partisë dhe vitalizimit të strukturave të saj për të përballuar me sukses zgjedhjet parlamentare, që pasojnë. Një angazhim të cilin, duket se Mustafaj e ka përsëritur edhe gjatë takimeve që ai ka zhvilluar me dy ambasadorët e tjerë.
Kandidimi
Prej kohësh, Besnik Mustafaj ka shpallur kandidaturën për PD-në e Tiranës. Deputeti demokrat theu heshtjen pikërisht me fillimin e zgjedhjeve brenda strukturave të partisë. Por ashtu siç ndodh rëndom në këtë parti, Mustafaj nuk pranoi të merrte “bekimin” e kryeministrit Sali Berisha për të pranuar ose jo sfidën për drejtimin e kryeqytetit. Prej kohësh, ai ka këmbëngulur se gara e tij për PD-në e Tiranës është bazuar në statutin e partisë dhe se gjithçka duhet të fillojë pikërisht nga ky dokument. Megjithatë kandidimi i Mustafajit nuk është parë pozitivisht nga Kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha marrëdhëniet me të cilin tashmë janë krejtësisht formale.