E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria-OSBE-së: Duam më shumë vëzhgues për zgjedhjet!

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, përsëriti angazhimin e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në vitin 2012, duke nënvizuar kontributin që mund të japë vendi ynë

TIRANË- Qeveria ka “harruar” kërkesën për largimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian nga Shqipëria dhe kërkon prej saj që të rrisë rolin e saj monitorues ndaj vendit tonë, si gjatë procesit të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, ashtu edhe gjatë ditës së mbajtjes së votimit në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Kërkesa është bërë nga ministri ynë i Jashtëm Lulzim Basha gjatë mbledhjes së radhës së Këshillin të Përhershëm të OSBE-së, që mbajti punimet në datën 6 nëntor në Vjenë të Austrisë. Nisur pikërisht nga evidentimi që progres-raporti i Komisionit Evropian i bënte çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një kusht thelbësor për ecurinë e mëtejshme integruese të vendit tonë në strukturat Euro-Atlantike, ministri Basha, pasi ka shprehur vullnetin e Shqipërisë për të kryer një proces zgjedhor konform standardeve ndërkombëtare, ka kërkuar prej organizmave që asistojnë vendin tonë në këtë fazë zhvillimi dhe konkretisht OSBE-ODIHR-it që të shtojnë numrin e vëzhguesve për këto zgjedhje. “Në emër të qeverisë së Shqipërisë, Basha ftoi ODIHR-in që të dërgojë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë sonë të Jashtme. Duke u ndalur pikërisht tek reforma elektorale, Basha ka njohur Ambasadorët e akredituar pranë OSBE-së me zhvillimet më të fundit në lidhje me ecurinë e punës për hartimin e kodit të ri elektoral dhe të infrastrukturës zgjedhore. Ai, gjithashtu, vlerësoi kontributin e OSBE-së në mbështetje të zhvillimeve demokratike të vendit dhe siguroi se Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë bashkëpunimin e frytshëm me Organizatën. Ai ka vlerësuar rolin e OSBE-së si një forum thelbësor diskutimi, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, pjesë e rëndësishme e sistemit të sigurisë evropiane e më gjerë dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj në drejtim të promovimit të vlerave të Organizatës. Gjithashtu,Basha, në fjalën e tij, ka përsëritur angazhimin e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së në vitin 2012, duke nënvizuar kontributin që mund të japë vendi ynë në kryesimin e kësaj organizate dhe vlerat që Shqipëria mund të përcjellë në aktivitetin e saj, në përmbushje të mandatit të dhënë nga vendet anëtare. Në përgjigje të fjalës së Ministrit Basha, SHBA-ja dhe BE-ja, në deklaratat e tyre, pasi siguruan për mbështetjen e plotë në procesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë, vlerësuan me nota pozitive konsensusin politik ekzistues për përfundimin me sukses të reformës elektorale, si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon.

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri vërejnë se në vend ka ende probleme serioze

Ambasadorët-qeverisë:  Garantoni zgjedhje të lira!

TIRANË- Progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ishte mesazhi i parë drejtuar qeverisë shqiptare për ndërgjegjësimin e saj lidhur me detyrat që duhen realizuar. 24 orë pas bërjes publike të këtij raporti, ambasadorët e vendeve të BE-së janë mbledhur bashkë, për t’i bërë të qartë njëherë e mirë klasës politike shqiptare se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë në integrimin e saj dhe se sfida kryesore në këtë drejtim mbeten zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vitin 2009. Përmes një deklarate publike, Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian apeluan për rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare 2009 dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. “Zgjedhjet e 2009-ës të jenë të lira dhe të drejta dhe suksesi i tyre do të jetë me rëndësi qendrore për marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë”, - thuhet në deklaratën e përbashkët të diplomatëve europianë. Duke u mbështetur në raportin e Komisionit Europian, diplomatët kanë theksuar edhe njëherë progreset, por edhe mangësitë e vazhdueshme që ka vendi ynë në fusha të veçanta. Në deklaratë është vlerësuar fakti se, bazuar në konsensusin ndërpartiak reformat kryesore politike kanë shënuar progres, duke përfshirë këtu edhe reformën elektorale. Por në të njëjtën kohë, ambasadorët riforcuan konstatimin e bërë edhe nga progres-raporti i publikuar nga Komisioni Europian, lidhur me sistemin e drejtësisë. Këtë të fundit, diplomatët europianë e cilësuan “një sistem të varfër drejtësie për shkak të mungesës së pavarësisë institucionale, përgjegjësisë dhe transparencës, si dhe për shkak të mungesës së një strategjie bashkëkohore mbi reformën juridike”. Problemet në funksionimin e administratës, sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, diplomatët europianë i konsideruan “si probleme me progres të kufizuar”. Korrupsioni është përshkruar si një problem serioz për Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit, në mënyrë të veçantë në sektorin e drejtësisë, mbetet një element thelbësor për integrimin. Sipas vlerësimit të diplomatëve, në luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria karaportuar një progres të kufizuar, duke qenë se ai vazhdon të mbetet një problem i madh për Shqipërinë. Ndërsa për luftën kundër pastrimit të parave, ambasadorët citojnë sepërgatitjet janë ende në fazën fillestare. “Mbetet ende shumë për të bërë në luftën e trafikut të qenieve njerëzore. Trafiku i brendshëm për qëllime seksuale është në rritje. Burimet njerëzore në dispozicion të luftës kundër emigracionit klandestin vazhdon të jetë e pamjaftueshme”, - thuhet në deklaratë.Në fund të deklaratës ambasadorët e vendeve të BE-së i garantojnëShqipërisë mbështetje në përmbushjen e detyrimeve të paraqitura në raportin e KE-së, veçanërisht në fushat ku është konstatuar progres i kufizuar.

Ambasadori gjerman: Korrupsioni, problem serioz

TIRANË- Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, në vijim të letrës së përbashkët të ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian, konfirmon konkluzionet aspak pozitive që përmban progres-raporti në Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku ka veçuar fushën e korrupsionit. Ambasadori Borchardt ka shfrytëzuar praninë e medias në nënshkrimin e marrëveshjes mes ambasadës që ai drejton dhe Transparency International për monitorimin e korrupsionit në vendin tonë, për të përcjellë dhe një herë shqetësimet që kanë partnerët evropian për një sërë çështjesh, përfshi edhe trafiqet e paligjshme, pastrimin e parave apo edhe emigrimin e paligjshëm. Duke u ndalur tek korrupsioni, ai ka theksuar se progresi në këtë fushë lë për të dëshiruar, pasi ai ende mbetet një problem serioz për institucionet shqiptare. “E kemi lexuar të gjithë dhe kemi mbajtur shënim për progres-raportin që u publikua dy ditë më parë nga komisioneri evropian, Oli Rehn. Ky raport ka tërhequr vëmendjen për progresin që Shqipëria ka bërë, por gjithashtu ka nënvizuar defektet, problemet, shqetësimet serioze që Bashkimi Evropian dhe Gjermania kanë për Shqipërinë gjatë rrugës së saj drejt BE-së. Një nga fushat që raporti vëren është problemi i korrupsionit. Progres-raporti njeh një farë përparimi, ashtu siç bëri për 2007-n Transparency International, në raportin e publikuar kohët e fundit. Por gjithashtu nënvizoj dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme se korrupsioni vazhdon të mbetet një problem serioz për Shqipërinë”, - tha ambasadori Bernd Borchardt.

Berisha: Zotohem për zgjedhje të lira

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, ka pranuar dje kritikat e progres- raportit të KE-së në lidhje me punën e qeverisë. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të zhvilluar dje, Berisha ka deklaruar se kritikat në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar janë të drejta. Por pavarësisht kësaj, Berisha tha se raporti pranon progresin krahasuar me një vit më parë. Vlerësimi, që Berisha i bënte progresit të Shqipërisë bazohej në fakt në një lojë të vërtetë fjalësh. ”Në rast se në raportin e 2007-ës, krimi vlerësohet si problem “shumë serioz”, në raportin e këtij viti krimi i organizuar vlerësohet si “serioz”, - tha Berisha ndër të tjera. Duke dashur të komentojë kritikat e raportit, Berisha ka pranuar se fenomeni i korrupsionit gjendet në shumë fusha, megjithatë, sipas tij, janë dënuar një numër i madh zyrtarësh. Sipas Berishës, pranimi i këtij fakti në progres-raport tregon se në Shqipëri dënimi i korrupsionit është real. Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk ndali sulmin ndaj medias, të cilën e akuzoi për shpifje dhe se për këtë fenomen, ai shtoi se Komisioni Europian ka sugjeruar të jetë objekt i çështjeve penale. Lidhur me kërkesën për zgjedhje të lira, Berisha dje është zotuar se qeveria e tij do t’i garantojë ato. “Në vitin 2009 shqiptarët do të votojnë të lirë dhe të ndershëm. Ky është zotimi im”, - tha Berisha.

Leskaj: Qeveria anashkaloi kritikat e raportit

TIRANË- Kryetarja e Grupit Parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, ka akuzuar dje qeverinë për fshehje të së vërtetës dhe interpretim të njëanshëm të progres- raportit të BE-së. Në një konferencë për shtyp, Leskaj ka shfaqur edhe njëherë kritikat ndaj qeverisë Berisha për faktin se përballë problemeve të rënda, që ka evidentuar raporti, qeveria i anashkaloi ato. Kështu, sipas saj, si rezultat i mosreflektimit të qeverisë, BE-ja është detyruar të komunikojë edhe njëherë ato probleme që qeveria nuk i përmendi.

”Kur gjithë shqiptarët dhe BE-ja prisnin që qeveria të dilte të shfaqte përgjegjësitë dhe të thoshte se çfarë masash do të merrte për të përmirësuar situatën lidhur me problemet e mëdha që ngre raporti i BE-së për ecurinë e procesit të integrimit, qeveria edhe këtë herë u përpoq të fshehë të vërtetën. Në vend që të reflektonte, bëri një lexim selektiv, duke dëshmuar mungesë transparence me publikun edhe mungesë serioziteti dhe përgjegjshmërie për një proces kaq të rëndësishëm e jetik për të ardhmen e vendit”, - u shpreh Leskaj. Problemet e evidentuara në deklaratën e BE-së, lidhur me korrupsionin, funksionimi i sistemit të drejtësisë, kushti për zgjedhje të lira, sipas Leskajt, janë çështje për të cilat PS-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj. Gjithashtu, Kryetarja e grupit parlamentar shprehu edhe vlerësimin e PS-së për raportin”. Dëshiroj të konfirmoj edhe njëherë se ne si forcë politike, PS-ja dhe Grupi parlamentar, vlerësojmë shumë seriozisht raportin mbi ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE. Jemishumë të vëmendshëm ndaj rolit dhe përgjegjësive të opozitës, kontributit të saj, veçanërisht për përmbushjen e kritereve politike”,- tha në fund të fjalës së saj Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›