Pranga dy trafikantëve, kërkoheshin nga policia
Tiranë-Kërkoheshin nga policia për dhënien e ndihmës në kalimin e paligjshëm të kufirit dhe janë arrestuar sot. Burimet e policisë së Tiranës bëjnë me dije se janë vënë në pranga shtetasit Përparim Vata, 34-vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz dhe 54-vjeçari, Pandeli Goga, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë.
Këta shtetas kanë qenë në kërkim, pasi për ta Gjykata e Tiranës kishte caktuar në mungesë, masën e sigurisë, “arrest me burg”, për transportin e klandestinëve.
Ndalimi i tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar “Verniku 2”, realizuar nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve pranë Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Tiranës. Pak muaj më parë, i njëjti sektor arrestoi 3 persona për të njëjtën akuzë.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale ‘Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’.