E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Vlorës, bojkot pa afat mësimit

Vlorë- Studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë kanë njoftuar sot bojkotin pa afat të mësimit dhe janë bashkuar në një protestë masive.

Pas paralajmërimeve për bojkot, studentët kanë braktisur auditorët duke u mbledhur në sheshin para godinës universitare. “Eksperimentim me studentët- shkencë e gabuar” ka qenë parrulla e tyre.

“Ne do të vijojmë bojkotin deri në pritje të përgjigjes së shkruar” -thanë sot përfaqësuesit e këshillit studentor. Ata kanë deklaruar se nuk duam përgjigje me fjalë, por vetëm të shkruar dhe për këtë iu drejtuan senatit si organ vendimmarrës të mblidhej dhe jepte përgjigje.

Përfaqësues të degëve të Gjuhë Letërsisë, Anglisht, Drejtësi, Biznes e Turizëm, kanë konfirmuar se i bashkohen tërësisht protestës së nisur, duke i kërkuar rektorit të reagonte.

“Në ‘91-in ishte pikërisht lëvizja studentore që përmbysi qeverinë. Në 97 për herë të dytë studentët treguan se nuk kanë frikë me protestën e tyre. Për herë të tretë, ne po tregojmë se jemi aq të fuqishëm, sa të përmbysim një rregullore që nuk e duam”- thanë ata.

Studentët kanë denoncuar me emra pedagogët që u kanë bërë presion në këtë protestë. “Na kanë bërë presion se nuk do të marrim provimet e na kanë treguar rrugët e Italisë”- tha kryetari i këshillit studentor Viktor Lagji.

Thirrjet "Poshtë presioni", “Jo eksperiment” dhe “Duam përgjigje” kanë shoqëruar gjithë protestën. Studentët kanë shprehur vendosmërinë se do të vijojnë bojkotin pa afat, ndërkohë që gjithë auditoret e të tre godinave universitare janë boshatisur ditën e sotme.

Ata kundërshtojnë rregulloren e miratuar e cila i detyron të ndjekin leksionet, të frekuentojnë rregullisht lëndët e mbartura, të mësojnë me orara të zgjatur dhe që heq pesën si notë kaluese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›