E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinas, përurohet terminali i ri i pasagjerëve

 

Është përuruar dje terminali i ri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Për ndërtimin e tij janë investuar 20 milionë euro. Ky terminal ofron një kapacitet shërbimi prej 1.5 – 1.8 milionë pasagjerësh në vit. Pas një periudhe dyvjeçare punimesh, terminali i ri është tashmë plotësisht operativ dhe filloi punës sipas afateve të përcaktuara. Zgjerimi do të shtojë një sipërfaqe prej 3,943 m², ndërkohë që lartësia e fasadës varion tashmë nga 7 deri në 13.5 metra. Pajisjet e transportit të bagazheve mbulojnë një sipërfaqe prej 890 metër katrorë, çka e çon sipërfaqen e përgjithshme të ndërtimit në 4,833 metër katrorë. Volumi i objektit është afërsisht 40,000 metër kub, këtu përfshihet dhe një sallë biznesi, e cila nga 130 metër katrorë që ishte në vitin 2005 do të arrijë në 300 metra/katrorë. Infrastruktura e zgjeruar përfshin në pjesën e re të saj sportele të reja pritjeje, porta të reja, dyqane të reja, një bar, bankë dhe një pikë të re këmbimi valutor. Terminali i ri përmbush edhe kërkesat më të sofistikuara dhe përbën një kontribut mjaft të shquar në transformimin urban të kryeqytetit të Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së përurimit të zhvilluar dje merrnin pjesë Kryeministri Sali Berisha, autoritete të larta shtetërore, përfaqësues të aksionarëve të TIA-s si dhe stafi i kompanisë. “Në kohë rekord, kompania jonë ka arritur të projektojë dhe të realizojë një aeroport, arkitektura, performancat dhe funksionaliteti i të cilit mund të krahasohen me të cilitdo aeroport tjetër. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përmbush të gjitha standardet e Bashkimit Evropian për sa i përket sigurisë. Gjithashtu, aeroporti ofron nivele shërbimi, të cilat pak njerëz mund t’i kishin pritur vetëm pak vite më parë. Efektiviteti i masave të ndërmarra reflektohet ndër të tjera dhe në rritjen e numrit të pasagjerëve”, u shpreh dje Reinhard Kalenda, drejtor Ekzekutiv i HOCHTIEF AirPort dhe kryetar i Këshillit Administrativ të aeroportit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›