Gara për tualetin më të keq

Infrastruktura është element tepër i rëndësishëm në zhvillimin e sportit. Mirëpo, ato që zakonisht bien në sy janë stadiumet moderne që tashmë janë bërë domosdoshmëri në futbollin e sotëm.
Por, kështu nuk është kudo. Hiq më larg se në Angli, në ligën e tretë të këtij shteti tualetet në stadium nuk dallojnë shumë nga ato të skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll, madje mund të jenë edhe më të këqija.
Por, gjendja e rëndë e tualeteve te këto skuadra të rangut më të ulët të futbollit anglez, mund t’u sjellë atyre një dhuratë të çmueshme që do të përdorej në përmirësimin e këtij elementi.
Përveç garës që bëjnë për t’u ngjitur në një rang më të lartë të garave, skuadra nga liga inferiore të futbollit anglez janë edhe konkurrent për një shpërblim tjetër, të pazakonshëm, renovimin e tualeteve.
Uebfaqja bestloosers.co.uk ka formuar një sondazh ku mund të votohet për tualetin më të keq dhe fituesi do të shpërblehet me 100 mijë funte të cilat do të investohen në këtë drejtim.
Gara është anuluar përkohësisht për shkak të parregullsive në mënyrën e votimit pasi ishte konstatuar se disa tifozë kishin votuar deri në 30 herë për skuadrat e tyre. Por, kjo është rregulluar dhe gara ka rifilluar këtë javë dhe sipas tabloidit britanik The Sun në epërsi është skuadra Oldham Athletic, anëtar i së cilës është sulmuesi veteran kosovar, Shefki Kuqi.
Sondazhi do të jetë i hapur deri më 5 janar dhe fituesi do të shpallet në shkurt të vitit të ardhshëm. Oldham shpreson se së shpejti do të kenë në dispozicion paratë për t’i investuar në Boundary Park.
Drejtori ekzekutiv i klubit, Alan Hardy ka thënë: “Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për ne. Paratë nuk kanë qenë në dispozicion për renovimin e tualeteve. Jam këtu që 31 vjet dhe disa prej tualeteve janë ende në gjendje të njëjtë siç kishin qenë kur erdha në klub. Do t’i nxisja të gjithë tifozët të votojnë”.
Oldham është në garë me Aldershot Town, Barnsley, Barrow, Bradford City, Ebbsfleet United, Exeter City, Plymouth Argyle, Scunthorpe United and Sheffield United.