E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos u dëshpëroni

Përkundër humbjes nga Azerbajxhani, Lorik Cana ka vlerësuar paraqitjen e Shqipërisë në këtë miqësore, e sidomos në pjesën e dytë. Ai ka thënë se nuk kanë kohë për dëshpërim pasi duhet të përgatitin ekipin për të ardhmen. Kapiteni i Kombëtares shqiptare e pranon se u ka munguar përkrahja e tifozëve, të cilët shpresonin që do ta ndërpresin bojkotin.

Pas ndeshjeve zhgënjyese në eliminatoret e sapopërfunduara për ‘Euro 2012’, Kombëtarja shqiptare po vazhdon të regjistrojë rezultatet negative edhe në ndeshjet miqësore.

Kuqezinjtë të premten mbrëma janë mposhtur nga përfaqësuesja modeste e Azerbajxhanit 0:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.

Përkundër rezultatin zhgënjyes kapiteni Lorik Cana ka vlerësuar paraqitjet e ekipit sidomos në pjesën e dytë derisa ka thënë se nuk kanë kohë për dëshpërim pasi duhet të përgatitin ekipin për të ardhmen.

“20-25 minutat e para nuk ishim mirë, sepse po luanim me një skemë të re, me lojtarë të rinj, që nuk kishin luajtur më parë në ato pozicione. Ndërsa kundërshtari ishte kompakt, luajti shumë mirë në këtë hark kohor arriti të shënonte “, ka thënë anëtari i Lazios.

“Ne u kthyem mirë në ndeshje në fund të pjesës së parë, me lojtarët që luajtën në pozicione më natyrale, ndërsa e dyta ka qenë nga më të mirat që kemi zhvilluar ndonjëherë. Kundërshtari nuk iu afrua portës, ndërsa ne krijuam shumë raste dhe zhvilluam lojë me shumë cilësi. Nuk kemi kohë që të dëshpërohemi, por të mbajmë kokën lart dhe të përgatisim të ardhmen.”, shtoi Cana i cili e pranon se rezultati ishte zhgënjyes.

Në mungesë të trajnerit, ekipin kuqezi kundër Azerbajxhanit e ka udhëhequr selektori i përfaqësuese U17, Dzemal Mustedanagiç. Ish-mesfushori i Galatarasayt mendon se kjo nuk ka ndikuar në rezultat.

“Sigurisht që është ndryshe kur ke trajnerin e parë, por mendoj se nuk do të kishte bërë diferencë të madhe nëse do ta kishim. Do të ishte më mirë për trajnerin, që të njihte skuadrën dhe të kishte më shumë kohë për të përgatitur grupin për eliminatoret e ardhshme. Megjithatë besoj se kishte shumë gjëra pozitive për të marrë nga kjo ndeshje”, u shpreh ai.

Në këtë përballje munguan ‘Tifozët Kuq e Zi’, të cilët në shenjë proteste ndaj drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit lanë boshë tribunat. Mesfushori kosovar e pranon se lojtarët nuk ndihen mirë kur nuk kanë përkrahje derisa shpreson se tifozët shqiptar do t’i rikthehen përkrahjes së ekipit.

“Për ne është kënaqësi e madhe kur luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë, të cilët na kanë përkrhaur gjithmonë, por sot mungoi ajo pjesa më e zjarrtë. Gjithsesi, detyra jonë është të japim maksimumin, ashtu sikurse kemi bërë gjithmonë. Sigurisht që nuk na vjen mirë kur ka shumë pak njerëz, por unë jam i bindur që në të ardhmen ata do të vijnë dhe do të na përkrahin. Në prag të edicionit të ri ne do ta kemi prapë tifozët tonë të zjarrtë, sepse kombëtarja mbetet kombëtare”, ka thënë 28 vjeçari.

Shqipëria të martën në Prilep, do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj përfaqësuese së Maqedonisë.

Salihi kritikon tifozët

Në ndeshjen kundër Azerbajxhanit, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” e kishte kapluar heshtja, pasi ‘Tifozët Kuqezi’ në shenjë proteste ndaj drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit kishin vendosur ta bojkotojnë ekipin kuqezi.

Atmosfera e akullt në stadium nuk është pritur mirë nga futbollistët. Sipas Hamdi Salihit, tifozët duhet ta mbështesin gjithmonë skuadrën, jo vetëm kur luajnë përballë skuadrave të mëdha.

“Në fushën tonë jemi mësuar me një atmosferë tjetër. Më erdhi keq që ndodhi kështu. Tifozët nuk duhet të vijnë për të parë vetëm Cristiano Ronaldon apo Riberyn, kjo është kombëtarja e tyre. Ta kenë të gjithë të qartë që unë, Loriku, Erjoni dhe gjithë të tjerët nuk vijmë këtu për para, por për të përfaqësuar dhe nderuar Shqipërinë dhe për të bërë diçka për imazhin e vendit tonë. Media, organizatorët, tifozët dhe ne futbollistët duhet të jemi të gjithë bashkë që Shqipëria të lërë përshtypje të mira”, ka thënë sulmuesi i Rapid Vjenës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›