Shqipëria humbet më shumë se një ndeshje
Përballja me Azerbajxhanin, e fituar minimalisht 1-0 nga miqtë kaukazianë, ka qenë ndoshta më e shëmtuar edhe se ajo ndaj Luksemburgut. Një atmosferë të pazakontë në stadiumin, kur në minutat e para numri i policëve ua kalonte atyre të tifozëve
Shqipëria: Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli,Cana, Roshi, Bakaj, Hyka, Salihi, Bogdani Trajner: Xhemal Mustedanagiç
Azerbajxhani: Popoviç, Malikov, Sadikov, Çertoganov, Subasiç, Alijev, Husejnov, Abishov, Nadirov, Budak, Levin
Trajner: Berti Vogst
Pa trajner, pa ide, pa grintë, por mbi të gjitha pa ata…tifozët! Ndeshja e djeshme e luajtur në ndërkombëtarin tonë “Qemal Stafa” (mbase e fundit) ka qenë padyshim më e keqja e viteve të fundit. Lojtarët kuqezi nuk kanë ditur të bëjnë asgjë mirë dhe në pjesën më të madhe të minutave janë sorollatur kot duke mos krijuar thuajse asgjë në 45 minutat e para dhe shumë pak në 45 minutat e dyta, ku si zakonisht zgjohemi kur ndërgjegjësohemi se gjithçka po shkon dëm.
Mustedanagiç, trajneri i përkohshëm i Shqipërisë ka hedhur në fushë atë formacion që mendohej se do ta niste nga fillimi. Asnjë ndryshim. Cana është rikthyer në mesfushë, ndërsa nga minuta e parë ka vend për Bakajn e Hykën. Eksperimenti i boshnjakut mund të quhet i dështuar që në fillim, pasi loja e skuadrës sonë nuk ngrihet asnjëherë mbi nivelin mesatar dhe britmat e Canës nuk arrinin t’i shkundnin kuqezinjtë. Për ta vërtetuar këtë, mjafton një moment hutimi në minutën e 22-të, kur Alijev përfiton nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes së Shqipërisë për të mposhtur lehtësisht Hidin me një të djathtë të saktë. Të gjendur në disavantazh, kuqezinjtë kërkojnë të reagojnë, por thuajse në asnjë moment nuk janë të rrezikshëm dhe kombinimet mes tyre lënë shumë për të dëshiruar. Sikundër pritej, reparti që çaloi më shumë ishte mesi i fushës, munguan idetë dhe mungoi dëshira e zakonshme për të luftuar për çdo top. Në pjesën e dytë, Mustedanagiç largon Bogdanin dhe hedh Emiljano Vilën. Loja fiton më shumë shpejtësi dhe Odise Roshi, më i miri në fushë për tanët, ka hapësirat e duhura për t’u bërë i rrezikshëm. Hyka mund të shënonte pas goditjes brenda zonës, por portieri Popoviç pret bukur. Më pas, “Xhemo” vendos të largojë Bakajn për Januzin dhe Salihin për Muzakën. Luhet minuta e 78-të dhe pikërisht në këto çaste Shqipëria nis të sulmojë vërtet. Do t’i afrohen golit kuqezinjtë pas gjuajtjes së Kapllanit, i sapofutur në fushë në vend të Roshit, por topi i tij do të gjejë shtyllën e jashtme të portierit Popoviç. Më pas do të jenë disa inkursione të Hykës e të Lilës nga krahët që do të prodhojnë harkime të rrezikshme, por që nuk do të shfrytëzohen ashtu siç duhet nga shokët e skuadrës. Gjyqtari Mazoleni do të vërshëllejë fundin e takimit pas 3 minuta shtesë.
Atmosfera më e keqe ndonjëherë…
Padyshim që u dje nga të gjithë. Dje stadiumi “Qemal Stafa” ka qenë në ditën e tij më të keqe, më keq se edhe kur luajtëm pa praninë e tifozëve kundër Gjeorgjisë në vitin 2005, por atëherë arritëm të fitojmë falë golave të Tares (2) dhe Skelës. Por të shikoje një ndeshje miqësore ku numri i tifozëve ishte inferior sesa ai i forcave të rendit, të vinte vërtet keq. Dhe për ta shtuar edhe më shumë dozën e keqardhjes menduan vetë policët që u larguan pas disa minutash, duke parë se nuk kishin më punë në një stadium ku tifozëria nuk i kalonte të 300 vetët. Natyrisht që këtu ka dorë edhe FSHF me çmimet e biletave krejtësisht të paarsyeshme për një ndeshje të këtij niveli, por ajo që ka ndikuar më shumë ka qenë zënka personale mes presidentit Duka dhe grupit të tifozëve “Tifozët Kuq e Zi”. Dëgjoheshin udhëtimet që lojtarët i bënin njëri-tjetrit, dëgjohej edhe ndonjë e qeshur nga tribuna përkarshi. Ndërsa për të acaruar edhe ata pak të pranishëm ka menduar fonia e stadiumit, që buçiste a thua sikur në “Qemal Stafa” nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Në fund erdhi humbja, por mërzia e kishte marrë rrugën e saj që kur kalohej gardhi i parë i policëve që vështronin me duar në xhepa ata kalimtarë të rastit që e kishin nxitimin drejt kafeneve përqark e jo drejt shkallëve të stadiumit.
Salihi kritikon tifozët: Duhej të ishin aty
Shumë i mërzitur pas ndeshjes ka qenë Hamdi Salihi. Sulmuesi shkodran i Rapidit të Vjenës është shprehur se në këtë humbje ka ndikuar shumë edhe plogështia e stadiumit “Qemal Stafa”, të cilin ai nuk e kishte parë kurrë në këtë gjendje. “Nuk ishte aspak një atmosferë e mirë. Që kur zbritëm në fushë u bëmë të plogësht pasi na mungonte ngrohtësia e tifozëve tanë. Tifozët duhet ta kuptojnë se ne kur vijmë për të luajtur për kombëtaren, nuk vijmë për para por për të vendin tonë.”
Admir Teli: Azerbajxhani e meritoi fitoren
Dje u aktivizua si qendërmbrojtës nga minuta e parë dhe ishte njëri nga ata që e njeh mirë kombëtaren e Azerbajxhanit. Admir Teli, lojtari që militon në kampionatin azer me Karabakun, ekip ku luan edhe Agolli, deklaroi dje se e priste këtë reagim të kombëtares azere dhe se nuk është i çuditur për fitoren që ata arritën. “Azerbajxhani luajti shumë mirë. Të them të drejtë, e prisja këtë paraqitje të tyren dhe me lojën që bënë, ata morën një rezultat shumë të mirë”, deklaroi Teli.