Gara për vend të dytë
Gjatë kësaj fundjave do të zhvillohet xhiroja e 26-të e BKT-Superligës së Kosovës në basketboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohet edhe derbi ndërmjet Pejës dhe Bambit.
Të dyja këto skuadra gjenden në pjesën e epërme të tabelës së klasifikimit dhe po luftojnë që pjesën e rregullt të kampionatit ta përmbyllin në pozitën e dytë, që ta kenë më të lehtë aventurën në garat e play-offit, në të cilat do luftohet për titullin e kampionit.
Aktualisht këtë pozitë e mban Peja me 45 pikë, një më pak sesa lideri, Sigal Prishtina, e cila ka një takim më pak të zhvilluar. Kurse, Bambi gjendet në vendin e tretë me 43 pikë, por ekipi serb nga veriu i Mitrovicës i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara sesa Peja.
Kështu, ky takim thuajse edhe do ta përcakton ekipin e dytë të tabelës, pasi Sigal Prishtinës vështirë është që dikush t’ia rrëmbejë vendin e parë. Ndërsa, të dielën në Mitrovicë do të përballen dy skuadrat e fundit të tabelës, Mitrovica dhe Bashkimi, kurse në Prishtinë Kolegji EuroSport do t’i matë forcat me Kosovën e Vushtrrisë. Derbi tjetër i kësaj jave mes rivalëve të vjetër, Trepçës e Sigal Prishtinës është shtyrë për një datë tjetër, me kërkesë të mitrovicasve.
BKT-Superliga – xhiroja e 26-të
E shtunë
Peja – Bambi20:00
E diel
Mitrovica – Bashkimi15:00
K. EuroSport – Kosova17:00
Trepça - S. Prishtina(Është shty)