E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivalitet klasik

El Clasico, ndeshje e cila nga shumëkush konsiderohet si përballja më e madhe mes klubeve të futbollit. Real Madridi pret Barcelonën në Santiago Bernabeu, të shtunën, me synim të hakmarrjes për disfatën e thellë 5-0 nga takimi i kaluar në Nou Camp dhe ringjalljen e shpresave për titull në La Liga. Por, gjiganti katalan ka fituar pesë derbit e fundit dhe dëshiron të vazhdojë dominimin. Nga Express më 16 prill 2011 në ora 12:15

Barcelona dhe Real Madridi kanë rivalitet të ashpër që daton nga viti 1902 ndërsa do të takohen mes vete katër herë brenda 18 ditëve për të definuar sezonet përkatëse.

Tifozëve të futbollit në mbarë botën duke filluar nga e shtuna do t’u servohen katër El Clasico – ndeshja më e madhe mes klubeve të futbollit – mes skuadrave më të pasura dhe më të suksesshme në Spanjë që këtë sezon luftojnë për ligë, Copa del Rey dhe kurorën në Ligën e Kampionëve.

Historikisht, Reali ka qenë më i suksesshëm mes tyre, me nëntë tituj të kampionit evropian për dallim nga tri të Barcelonës dhe me 31 tituj në Ligë përball 20 të katalanëve.

Por, Barcelona ka dominuar në vitet e fundit dhe me futboll joshës ka siguruar dy tituj të njëpasnjëshëm në ligë dhe trofeun e Ligës së Kampionëve më 2009. El Clasico i parë i ‘maratonës’ do të zhvillohet të shtunën në përballjen e vlefshme për La Liga në Santiago Bernabeu.

Barcelona ka tetë pikë epërsi ndaj Realit që gjendet i dyti dhe është favorit të fiton titullin e tretë të njëpasnjëshëm. Turpërimi 5-0 nga Barcelona në El Clasicon e parë në Nou Camp në nëntor nënkupton se Reali do të ketë arsye shtesë për fitore në ndeshjen e kthimit.

Kjo ishte humbja më e thellë për Jose Mourinhon në karrierën e tij si trajner dhe çka do tjetër përveç fitores së tij të parë në El Clasico të shtunën do të përfundonte shpresat për titull, shtatë ndeshje para fundit. Mourinho, i cili punoi si përkthyes në Barcelonë nuk beson se rezultati i ndeshjes së parë do të ketë ndikim në tre përballjet e tjera.

“Ne duhet t’i qasemi secilës ndeshje ndarazi. Nuk jam i mendimit se çka ndodh në ndeshjen e parë mund të ndikojë në të dytën, të tretën ose të katërtën”, tha ai.

Në anën tjetër, trajneri i Barcelonës Pep Guardiola i cili ka arritur pesë fitore nga pesë Clasicot e fundit deklaroi: “Nuk ka rëndësi se në çfarë gjendje jemi. Ajo që ka rëndësi është mentaliteti dhe dëshira. Kjo është dhuratë të cilën secili sportist do të jetë i lumtur ta pranojë”.

Reali nuk e ka mposhtur Barcelonën nga maji 2008 kur fituan 4-1 në ligë në Bernabeu kur Barcelona u desh të formon gardën e dhimbshme të nderit në mirënjohje për triumfin e madrilenëve në La Liga. Përballja e së shtunës përcillet nga finalja në Copa del Rey më 20 prill në stadiumin Mestalla në Valencia. Pas saj skuadrat do të ndeshen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve më 27 prill në Bernabeu dhe ndeshjen e kthimit në Nou Camp më 3 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›