Garda, tel me gjemba te vilat qeveritare
VLORE – Përleshje mes pretendentëve si pronarë të ligjshëm të një trualli pranë vilave qeveritare në Ujin e Ftohtë në Vlorë dhe forcave të Gardës. Pronarët pretenduan se u dhunuan fizikisht nga njerëzit me uniforma, ndërsa policia shoqëroi 3 prej tyre në komisariat. Gjithçka ka nisur kur forcat të Gardës së Republikës kanë nisur të rrethojnë me tel me gjemba zonën, që pretendohet si pronë e ligjshme prej familjeve Paço, Ferko dhe Kadëna. Reagimi i pjesëtarëve të këtyre familjeve ka qenë i menjëhershëm sapo ata kanë parë që gardistët po rrethonin zonën. Bëhet e ditur se konfrontimet fizike kanë qenë pjesë e debatit mes dy palëve që ka zgjatur rreth 2 orë. Më pas policia ka shoqëruar në komisariat tre pjesëtarë të familjes Kadëna. Gardistët fillimisht kanë hezituar, pasi i janë druajtur ndonjë sulmi në distancë prej pronarëve, por më pas, të siguruar nga forca të shumta policore, ata kanë vijuar rrethimin e tokës. Nga ana e tyre pronarët akuzuan për mungesën e shtetit dhe drejtësisë si dhe për dhunë fizike të kryer nga Policia e Garda ndaj tyre. Ata kërkuan prezantim të dokumentacioneve nga ana e Gardës, pasi sipas tyre në këtë zonë, këto tre familje janë të vetmet që disponojnë certifikatën e pronësisë. “Çështja nuk do të ndërpritet nga ana jonë, pasi do të vijojmë në mbrojtjen e pronës tonë që po na vidhet nga shteti”, mësohet të kenë pohuar pronarët. Konflikti i sotëm është finalizuar me shoqërimin e tre personave, ndërsa prona në fjalë tashmë e rrethuar po ruhet nga oficerë të Gardës. Njëra nga familjet, pronare të zonës pranë vilave qeveritare, vetëm 10 ditë më parë ka bërë kallëzim penal ndaj katër ushtarëve të Gardës. q.b