E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në port kosovarit për heroinë

 

DURRES/ OERD ULQINI
 
Bie në pranga për trafik ndërkombëtar heroine kosovari 30-vjeçar. Seat Çorolli, rezident në Zvicër, është zbuluar se po trafikonte drejt brigjeve italiane një sasi të madhe droge, pas identifikimit nga skaneri i kontrollit. Në makinën e tij “Opel Vectra” u zbulua se ndodheshin pako të mbushura me heroinë, pesha fillestare e të cilës u konstatua rreth 7 kg. Sipas policisë së Durrësit, arrestimi i kosovarit u bë në port, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, 1 orë para nisjes për lundrim të tragetit “Domiciana” të linjës Durrës-Bari. Çorolli dyshohet se ka lëvizur nga fshati Bashnicë në Kosovë, nga pika kufitare e Morinit e më pas drejt qytetit bregdetar të Durrësit. Ai udhëtonte i vetëm, me makinën e tij me targë të Bernës, BE 577508, me qëllim kalimin në Bari të Italisë për të vijuar drejt kufirt verior, në Zvicër ku jetonte prej vitesh. Sipas procedurës, ndërsa ka kontrolluar dokumentacionin në pikën kufitare, radha i ka takuar kontrollit të automjetit. Punonjësit e policisë kufitare e kanë futur “Opelin” nën skanerin modern të Portit, i cili arriti të pikasë mallin e dyshimtë brenda serbatorit të mjetit. Menjëherë është bllokuar procesi dhe janë lajmëruar forcat e policisë së Durrësit dhe të Prokurorisë së Krimve të Rënda. Sapo është bërë hapja fillestare e serbatorit është arritur të gjendet brenda tij një sasi prej 7 kg lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë. Kontrollet kanë vazhduar, pasi sipas policisë mendohet se dhe pika të tjera të mjetit mund të jetë fshehur drogë. Por, për shkak të pozicionit të vështirë, operacioni ka vazhduar deri në orët e vona, me qëllim shkëputjen totale të serbatorit nga mjeti, për të kontrolluar imtësisht ata. Pritet që sasia e drogës të ndryshojë pas zbërthimit të pajisjes, pasi vetë drejtuesi i mjetit nuk ka bashkëpunuar me policinë. Gjatë kontrollit, 30-vjeçari nuk ka shfaqur asnjë shenjë nervozizmi derisa është vënë para faktit të gjetjes së drogës. Ai nuk rezulton person me precedentë penalë, ndërsa pritet të merret në pyetje në lidhje me bashkëpunëtorët në këtë trafik. Nuk dihet ende detyra e tij, nëse do të mundësonte transportimin e heroinës deri në Itali, apo do të vazhdonte drejt Zvicrës. Ndërkohë, një pikë kyçe që pritet të sqarohet nga hetimi është mundësia e marrjes së heroinës brenda territorit shqiptar. Ditën e sotme pritet të bëhen të qarta detajet e operacionit dhe sasia e plotë e heroinës.

Precedenti “Tifozët”
Tre shqiptaro-maqedonas u prangosën 12 ditë më parë nga policia në Durrës, duke transportuar 4.2 kg heroinë. Ata ishin hequr si turistë, të ardhur nga Maqedonia për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Suedi. Veprimtaria e tyre u arrit të zbulohej falë investigimeve të kryera nga agjentë të antidrogës, derisa u bë kapja në flagrancë e tyre. Operacioni i koduar “Tifozët” çoi në pranga Isein Nasufin, 41 vjeç, punonjës i policisë kufitare maqedonase; Dritan Gjurën, 33 vjeç si dhe Madrit Istrefin, 30 vjeç, të tre nga Struga. Në cilësinë e provës materiale përveç lëndës narkotike u sekuestrua një sasi e konsiderueshme parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›