E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e kambistit, 4 të dyshuar në polici

 

ELBASAN – Katër persona u shoqëruan mbrëmë në policinë e Elbasanit si të dyshuarit për plagosjen me qëllim grabitjen e 25 mijë eurove kambistit Arben Kovaçi. Sipas policisë, A.Qafa është personi kryesor që mund të ketë realizuar pritën bashkë me të tjerë mbrëmjen e së enjtes. Kambisti u qëllua me mjete të forta vetëm pak metra larg shtëpisë së tij, duke përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Mjekët e spitalit të Elbasanit kanë bërë transportimin e tij për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për mjekim të specializuar. Sipas mjekëve, goditja e fortë në pjesën e pasme të kokës i ka shkaktuar atij dëmtime serioze. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shoqëruar në polici më shumë se 30 persona dhe se janë kontrolluar afërsisht 25 shtëpi përreth zonës ku ndodhi ngjarja, por pa mundur të bihet në gjurmët e tyre. Në vijimësi të punës për zbardhjen e ngjarjes gjatë gjithë mbrëmjes së enjtes, gjithë ditën e premte e në vazhdim janë kontrolluar më shumë se 150 automjete. Në gjithë zonën ku banonte Kovaçi janë vendosur agjentë me qëllim vëzhgimin e lëvizjeve të personave të dyshimtë që mund të kenë lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen “Kongresi i Elbasanit”. Personat e shoqëruar janë mbajtur për disa orë në ambientet e komisariatit të Elbasanit. Mësohet se ata janë marrë në pyetje rreth ngjarjes dhe pasi u janë marrë edhe shenjat e gishtërinjve janë lënë të lirë, derisa mbrëmë u mbajtën në izolim 4 prej tyre.                             a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›