Sejdiu e Tadiç ballë për ballë në OKB: Na mbështesni ne!
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe presidenti serb, Boris Tadiç do të përballen me argumentet e tyre rivale për pavarësinë në OKB. Të dy delegacionet janë nisur në Nju Jork për të marrë sot pjesë në ceremoninë e hapjes të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet edhe dërgimi i çështjes së pavarësisë për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Presidenti Tadiç pritet të përballet me një “betejë”, ndërsa do të kërkojë të nxisë vendet e OKB-së për të miratuar kërkesën e vendit të tij për pavarësinë e Kosovës. Tashmë Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar paraprakisht këtë kërkesë gjatë takimit të sekretares Kondoliza Rajs dhe ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Të njëjtën sjellje pritet të kenë edhe 46 vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën, pjesa më madhe e të cilave janë komponente të rëndësishme të vendimmarrjeve të perëndimit dhe aleatëve të tij. Pak para nisjes, Tadiç ka deklaruar se “ditë shumë të vështira na presin, takime të vazhdueshme bilaterale dhe luftë për interesat shtetërore dhe qytetare”. Ndërsa Tadiç do të flasë kundër pavarësisë si shkelje e së drejtës së Serbisë, presidenti Tadiç do të kërkojë të kundërtën e tij në OKB, ai do të bëjë thirrje për më shumë mbështetje dhe më shumë njohje nga vendet e Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar të drejtën e Kosovës për të qenë një shtet i pavarur pas historisë së saj të dhimbshme në sundimin e Serbisë. Fjalimi i Tadiçit do të mbahet më 23 shtator. Gjatë këtyre ditëve ai pritet të takohet me përfaqësuesit e 30 shteteve anëtare të OKB-së për t’u kërkuar mbështetje për nismën serbe. Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministri i Punëve të Jashtëm, Skënder Hyseni, udhëtuan në Nju Jork ku do ta përfaqësojnë Kosovën në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Sejdiu dhe Hyseni pritet të zhvillojnë takime të shumta me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe me ata që e kanë njohur atë, për të thelluar marrëdhëniet bilaterale. Sipas njoftimeve nga Presidenca kosovare, në caktimin e këtyre takimeve kanë ndihmuar përfaqësuesit e përhershëm të SHBA-së dhe Shqipërisë në selinë e OKB-së.