E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra rrezikon fondin e kompensimit

 

SHKODER – Përfundimi i hartës së vlerës së tokës në afatin e duhur nga njësitë vendore, është e vetmja mundësi që ish-pronarët e qarkut të Shkodrës të kompensohen. Në të kundërt ky qark do të përjashtohet për të katërtën herë nga fondi prej 5 milionë dollarësh, që jepet nga qeveria për kompensimin e tyre. Fakti u bë i ditur nga vetë prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu. Në një takim pune urgjent të zhvilluar dje me përfaqësues të zyrës rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Cungu bëri me dije një vendim të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit afati përfundimtar për procesin e hartimit të hartës së vlerës së tokës është data 30 shtator 2008. Drejtori i AKKP-së Shkodër, Besnik Kastrati, kërkoi ritëm nga institucionet shtetërore dhe njësitë vendore të qarkut Shkodër, me qëllim përfundimin e këtij procesi brenda afatit. Mësohet se nga 35 njësi vendore në total të qarkut i Shkodrës, vetëm 10 prej tyre kanë përfunduar deri tani procesin, ndërkohë që kanë mbetur edhe pak ditë deri para përfundimit të afatit kohor të dorëzimit të materialeve.                                            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›