E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardiani i burgut shiste drogë nëpër qeli

Korçë Kolegët i gjejnë marijuanë në çorape

Një gardian i burgut të sigurisë së lartë të Drenovës është kapur në mjediset e këtij institucioni me një sasi lënde narkotike. Gardiani u kap në kushtet e flagrancës kur nga ana e kolegëve u ngrit një kontroll i befasishëm ndryshe nga rutina e përditshme e kontrollit fizik. Mësohet se 24-vjeçari Denis Ismailani është ndaluar pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur lëndë narkotike e llojit marijuanë. Gardiani 24-vjeçar, sipas të dhënave nga burime të brendshme të këtij burgu, dyshohej se fuste lëndë narkotike për t’ua shitur të burgosurve. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:00 atij i janë gjetur 10 doza njëgramëshe marijuane të fshehura në çorape dhe të ndara në dy pjesë. Drejtoria e burgut dhe shërbimi i kontrollit kanë nisur hetimet ndaj Denis Ismailanit. Ai është vënë menjëherë në pranga nga grupi i gatshëm dhe ndaj tij kanë nisur veprimet hetimore. Burime të sigurta zyrtare kanë konfirmuar se në momentin e kontrollit i riu ka thënë se nuk ndihej mirë dhe donte të kthehej në shtëpi. Por ai është veçuar më pas në një tjetër dhomë ku është kontrolluar dhe në çorape i janë gjetur dozat e bëra gati për shpërndarje. Sipas prokurorisë ka dyshime se i riu e ka kryer këtë veprim edhe herë të tjera për qëllime fitimi duke u shitur drogë të burgosurve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›