E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtohen ndryshime ligjore për sigurimet shoqërore dhe punësimin

Shqipëri-Itali

Njohja reciproke e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, përshpejtimi i procedurave për ratifikimin e marrëveshjes mes dy vendeve në fushën e punësimit, si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushat sociale, kanë qenë në qendër të bisedimeve të djeshme të zhvilluara në Ministrinë e Punës mes këshilltarit të ambasadës italiane, Giuseppe Berlendi, drejtorit të kabinetit të ministrit të Punës, Kleves Bitro dhe drejtoreshës së Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi.
Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore, Koldashi, vuri në dukje se realizimi sa më parë i një marrëveshjeje mes dy vendeve në fushën e sigurimeve shoqërore do t’u vinte në ndihmë rreth 420 mijë shqiptarëve që tashmë jetojnë në mënyrë të rregullt në shtetin fqinj, si dhe rreth 200 mijë të tjerë që janë në proces legalizimi apo vazhdojnë studimet në Itali. Berlendi premtoi që pala italiane do të asistojë strukturat shqiptare për rishikimin e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore, me qëllim përafrimin e tij me legjislacionin e vendeve të BE-së, si hap i parë në procesin e hartimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›