E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, nën akuzë për largimin e administratës

Vëzhgim/ Për pesë vjet, janë paguar 1265 persona, megjithëse të shkarkuar

Ndryshimet e shpeshta të administratës shtetërore dhe prishja e kontratës së punës në mënyrë të njëanshme ka sjellë që qeveria dhe ministritë e linjës të paditen në Gjykatën e Tiranës. Objekti i padive është “detyrimi i të paditurit t’i paguajë personit që është hequr nga puna pagën e një viti dhe përfitimet e tjera që njeh ligji për ndërprerje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënieve të punës”. Megjithatë, personat që kundërshtojnë largimin nga puna kërkojnë edhe dëmshpërblime të ndryshme, si dhe rikthim të menjëhershëm në vendet ku kanë qenë. Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip” në Gjykatën e Tiranës rezulton se janë duke u shqyrtuar rreth 276 padi. Kërkesat janë depozituar gjatë vitit të kaluar, por ka pasur edhe padi të reja gjatë dy muajve të parë të vitit 2010. Ndërkohë, gjatë viteve 2005 deri në vitin 2010, 1265 persona të larguar nga administrata shtetërore janë paguar nga buxheti i shtetit, i cili përllogaritet në miliona euro.

Vëzhgimi

Aktualisht, në Gjykatën e Tiranës, gjatë këtij viti janë regjistruar 61 padi të reja. Në këtë rast paditës janë persona që kanë punuar në funksione të larta të administratës shtetërore kryesisht në ministritë e linjës, por edhe në Kryeministri dhe Parlament. Këta persona kundërshtojnë largimin në mënyrë të padrejtë nga puna dhe kërkojnë t’u kompensohet dëmi financiar nga prishja e njëanshme e kontratës. Sipas vëzhgimit, krahas nëpunësve të administratës shtetërore, paditës janë edhe mjekë, ushtarakë, persona që kanë punuar në drejtoritë e shërbimeve postare, si dhe në shumë vende të tjera. Krahas “padive për marrëdhënie pune” në gjykatë janë regjistruar edhe shumë padi që kundërshtojnë vendimet e ministrave të linjës që kanë hequr nga puna persona të administratës. Largimet nga puna të personave kanë “përplasur” qeverinë me opozitën, e cila këmbëngul se largimet e padrejta nga administrata publike i shkaktojnë buxhetit të shtetit një dëm miliona lekë në vit. Opozita ka këmbëngulur se këto largime duhet të hetohen nga vetë organi i Prokurorisë së Përgjithshme, pasi i shkaktojnë një dëm të madh shtetit. Sipas të dhënave zyrtare, për çdo vit shteti paguan rreth 340 nëpunësish, megjithëse nuk kanë asnjë detyrë dhe vlera e rrogës dhe shpërblimeve të tjera që mund të përfitojnë llogaritet deri në miliona euro. Për këto abuzime është kërkuar që të fillojë një hetim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjitha ministrive apo titullarëve të institucioneve të shteteve që paguajnë fatura dyfishe për një vend pune.

Paditë

Në zyrat arkivore të Gjykatës së Tiranës ndodhen në proces shqyrtimi 276 padi “për marrëdhënie pune”. 214 padi janë mbartur dhe 61 kanë ardhur të reja. Sipas të dhënave, të paditura janë institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, nga Parlamenti, Këshilli i Ministrave, ministritë e linjës e deri te drejtoritë përkatëse. Kuvendi është paditur nga ish-deputeti Ilir Zela, i cili ishte në marrëdhënie pune, por u shkarkua. Edhe tre “kolegë” të Zelës e kanë paditur për të njëjtën “akuzë”. Ndërkohë, ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa” ka paditur Qendrën Sportive për largim të padrejtë nga puna. Të njëjtën gjë kanë realizuar edhe Slator Sinani që ka paditur Ministrinë e Kulturës dhe Armand Bace që ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë. Po ashtu, Nazmi Ajazi ka paditur Ministrinë e Mjedisit, Hervin çuli, Teatrin Kombëtar e Bestar Xhafa Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjithë kundërshtojnë largimin në mënyrë të padrejtë nga puna.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›