E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garë e nxehtë për Bashkimin

Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbylljen e afatit kalimtar të janarit, sulmuesi i talentuar shqiptar Bashkim Kadri, është bërë objektiv i disa klubeve me emër në futbollin evropian.

Derisa drejtuesit e klubit gjerman, Borussia Dortmund, janë në negociata me klubin danez Boldklubben af 1893, për transferimin e Bashkimit në garë ka hyrë edhe klubi nga SAS Liga (elita e futbollit danez) AGF Aarhus.

Anëtari i përfaqësueses U-19 të Danimarkës, është provuar për disa javë në Dortmund, ndërsa me talentin e tij ka bindur drejtuesit e klubit nga Bundesliga, që ta transferojnë në Signal Iduna Park.

Mediat daneze kanë bërë të ditur se Dortmund dhe klubi nga divizioni i dytë danez Boldklubben af 189, të cilët me Bashkimin kanë kontratë deri në vitin 2011, janë duke biseduar ende rreth transferimit të shqiptarit.

“Dortmund dëshiron ta blejë Bashkimin, por ende nuk kemi marrëveshje. Klubet janë ende duke biseduar. Ndërkoha klubi AFG na ka kontaktuar gjatë javës dhe nëse e shesin Jakob Polsenin mund të ndodhë që Bashkimi të shkojë atje. Por edhe OB Odense ende është e interesuar për të”, ka thënë babai i futbollistit Benny Kadri, për uebfaqen Tipsbladet.dk.

“Prioritet nuk është Dortmund, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme”, ka theksuar Kadri.

Sipas Tipsbladet.dk, Bashkimi të shtunën do të kthehet në Danimarkë, derisa menaxheri i tij, Jacob Laursen, pret një marrëveshje eventuale ndërmjet klubeve pasa se të shkojë të negociojë për kushtet e klientit të tij.

Në anën tjetër, Bashkim Kadri në një intervistë dhënë Tipsbladet.dk, para disa ditësh, respektivisht para se të shkonte drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar Dortmundit në prova, për të dytën herë, ka thënë se do të ishte ëndërr nëse do të mbetej në klubin gjerman.

“Do të jetë ëndërr e madhe nëse Dortmund do të më ofroj kontratë”, ka thënë Bashkimi.

Ai karrierën e ka filluar te skuadra nga divizioni i dytë i futbollit danez Boldklubben af 1893, derisa në vitin 2008 ka debutuar me ekipin e parë.

Me talentin e tij, Bashkim ka fituar një ftesë nga përfaqësuesja U-19 e Danimarkës, me të cilën skuadër ka zhvilluar rreth 13 ndeshje, ndërsa ka arritur të shënojë pesë gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›