E Shtunë, 31 Tetor 2026

A jemi në NATO apo. në listën e zezë!

Nga Edgar FRASHËRI
Në vijim të përgatitjeve për një udhëtim në Angli në fund të muajit, po bëj kujdes që të kryej prenotime ose parapagime online me qëllim që të kem sa më pak "cash" me vete. Zakonisht kur udhëtoj veproj me kartë krediti. Destinacioni është qyteti Lincoln në Angli për ku shkohet me tren nga aeroporti Heathroë i Londrës. Mbasi kontrollova dhe oraret dhe tarifat e trenave vajtje dhe kthim në Heathroë, vura re se biletat e blera online dhe parakohe kushtonin sa rreth 1/4 e çmimit të prerjes në sportel. Askush nuk do të hezitonte të bënte këtë blerje në kushtet kur itinerarin e ke të fiksuar. Këtu më ndodhi ajo që ne shqiptarët na bën të ndjehemi si qytetarë të dorës së dytë sa herë që vihemi përballë botës së përtej kufiirit të shtetit tonë. Mbas disa përpjekjesh të vazhdueshme për të kryer pagesën, kuptoj se ajo refuzohej sepse MasterCard e imja nuk pranohej, dhe ky nuk ishte lapsus. Mbas kontrollit që bëri banka Intesa Sanpaolo e cila ka lëshuar kartën dhe nuk verifikoi ndonjë arsye bllokimi, unë u ktheva përsëri para kompjuterit për të vazhduar përpjekjet me shpresë se mbase mund të kishte qenë lapsus i përkohshëm. Rezultati përsëri i njëjtë: "authorisation has been declined". Atëherë mendova se kam arsye të kërkoj sqarime për këtë veprim. Mbasi kontaktoj me telefon dhe e-mail me kompaninë angleze, e cila kryen këtë shërbim për llogari të udhëtarëve e cila është" Thetrainline", nga ana tjetër e linjës, sapo mësojnë problemin, më pyesin: "Nga cili vend jeni zotëri?". -"Nga Shqipëria!" i përgjigjem. Atëherë menjëherë u sqarua situata. "Nuk e keni të keqen me kartën" - më thotë "por me vendin, sepse Shqipëria si edhe Afganistani e vende të tjera, nga Drejtuesit e Kompanisë, u është hequr e drejta të përdorin kartë krediti!? Pra në këtë listë është edhe vendi juaj." Ky fakt u konfirmua edhe me e-mail të nesërmen nga i njëjti burim, së bashku me listën famëkeqe. Duke falenderuar zonjushën që më tha të vërtetën, ula telefonin me një dhimbje në zemër e cila nuk ka pushur që nga viti 1990, kohë kur ne shqiptarëve të zakonshëm na u hap mundësia të dalim jashtë këtij shteti që nuk është i shtetasve të vet. Më pas, kjo dhimbje më kthehet në zemërim, sepse filloj të arsyetoj se ku e gjen të drejtën kjo kompani, të diskriminojë shtetasit shqiptarë, për të cilët ajo zyrtarisht nuk ka asnjë referencë nga shteti britanik për ti trajtuar me status diskriminues. Mos vallë janë aq injorantë që të mos dijnë se Shqipëria nuk ka lidhje me Afganistanin? ... Bile aq injorantë saqë ende mbajnë në listë shtete si Lituania, Bullgaria e Rumania, të cilat tashmë janë anëtare të Komunitetit Europian! Dhe hajde bëj festë pastaj se paskemi hyrë në NATO. Mos vallë në NATO na kanë pranuar si qytetarë, ushtarë etj., të dorës së dytë?! Në fund si gjithmonë gëlltita dëshpërimin dhe rashë në prehrin e fatalitetit. Nganjëherë them me vete: "O Zot, pse më bëre të lindem në këtë vend!"- Kjo është tepër e dhimbshme. Le që ske dhe kujt ti ankohesh për të këtilla gjëra!..Kjo për ne është bërë tashmë një modus vivendi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›