E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garojnë 36 parti nga 45 që u regjistruan

21/05/2009  Katër koalicione, tri parti e 1 kandidat i pavarur dhe rezultati i konkurrentëve

KQZ do të shqyrtojë listat shumemërore të 6 partive të para

Katër koalicione, tri subjekte zgjedhore dhe një kandidat i pavarur pritet të jenë të vetmit subjekte të ardhshme zgjedhore, të cilat pritet të renditen në fletën e votimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është raporti i deritanishëm i subjekteve zgjedhore që kanë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat shumemërore të kandidatëve për çdo qark të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë gati 10 subjekte zgjedhore janë vetëskualifikuar nga gara për shkak të pamundësisë së tyre për t’u përfaqësuar me kandidat në 12 qarqet. Janë pikërisht ato subjekte zgjedhore që nuk mundën të hynin në koalicion me asnjë nga partitë parlamentare. Njëra nga tri subjektet jashtë koalicioneve është partia e Spartak Ngjelës, “Ligj dhe Drejtësi”, e cila nuk ka detyrimin të paraqesë forma mbështetëse, dy subjekte e tjera, Aleanca Kombëtare dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, duhet të shoqërojnë listat e kandidatëve me firma mbështetëse. Sipas burimeve nga KQZ-ja, dje ka dorëzuar kërkesën për të kandiduar edhe një kandidat i propozuar nga zgjedhësit. Këto dy ditë KQZ-ja pritet të marrë vendimin për listat shumemërore të partive që i kanë sjellë ato, mes tyre edhe të dokumentacionit të këtij kandidati. Kodi Zgjedhor lejon kandidimin e një personi të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet në Kuvend jo më vonë se 40 ditë nga data e zgjedhjeve. Por për paraqitjen e tij nga zgjedhësit, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët janë të ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin, sipas këtij kodi. Jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit. Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për deputet vetëm në rast se ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon jo më pak se 1 për qind të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore, sipas procedurave të përcaktuara në Kod. KQZ-ja, pasi të vendosë nëse do të pranojë ose jo listat shumemërore të dy partive kryesore në vend, do të nisë shqyrtimin për gjashtë subjektet e para zgjedhore që kanë sjellë listat e deputetëve të tyre. Në gjashtëshen e parë bëjnë pjesë tri parti parlamentare: ajo e Paskal Milos, Nikollë Lesit dhe e Arian Starovës. Menjëherë pas verifikimit KQZ-ja do të miratojë edhe formën përfundimtare të fletës së votimit.

Kandidatët PD-së dhe PS-së

KQZ do të vendosë të pranojë ose jo listat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kërkesë të nënkryetares Dëshira Subashi do të vendosë gjatë mbledhjes së sotme nëse do të pranojë apo jo listat e deputetëve të paraqitura jashtë afatit zyrtar. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në këtë komision Njazi Kosovrasti ngriti pretendimin se subjekti i tij zgjedhor kishte procedura konform ligjit. “PD-ja i ka depozituar listat shumemërore në orën 23:55, brenda afatit ligjor në KQZ”, - tha Kosovrasti. Ndërkohë përfaqësuesi i PS-së Genci Gjonçaj pretendoi të kundërtën. “Rreth orës 1:30 ne dorëzuam listën me emrat e kandidatëve. Puna në administratë ka qenë e bllokuar, megjithëse në periudha zgjedhore KQZ-ja duhet të qëndrojë e hapur. Çështja e vonesës prej 15 minutash apo një orë e gjysmë, duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë”, - tha ai. Vetë kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka deklaruar se të dyja partitë kanë shkelur ligjin, por ajo që ai pretendoi nga përfaqësuesit e partive ishte një “kërkesë ndjese” dhe jo debat. “Keni precedentë në shkeljen e ligjit, pasi edhe sot që flasim vazhdoni të mos plotësoni përfaqësimin e 30 për qind të komisioneve të nivelit të dytë”, - deklaroi ai.

Administrimi i votave

Publikimi i rezultatit nga KQZ-ja në rang qarku

Jo vetëm tabela origjinale e rezultatit, por edhe formati i printuar sipas të dhënave të kësaj tabele do të shërbejë si dokumentacion zyrtar që i dorëzohet KQZ-së nga KZAZ-ja ditën e numërimit të votave. KQZ-ja pritet të miratojë sot një udhëzim që ka për qëllim të përcaktojë procedurat që do të zbatojnë KZAZ-ja dhe KQZ-ja për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave. Përcjellja e informacionit për rregullsinë e kutive të fletëve të votimit dhe kutive me materialet e votimit të marra në dorëzim nga KQV-të; rezultatet e zgjedhjeve të çdo QV-je dhe miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor përkatës, në KQZ bëhet nën drejtimin dhe përgjegjësinë e sekretarit të KZAZ-së në rrugë elektronike. Çdo tabelë rezultatesh hidhet nga operatori i hedhjes së të dhënave, i cili me pas printon në letër informacionin që ka në formë elektronike. Pasi verifikohet se ka të njëjtin informacion me ato të tabelës origjinale dhe i dërgohet KQZ-së. Me marrjen e informacionit nga KZAZ-të KQZ-ja bën publikimin në dinamikë të rezultateve në rang zone zgjedhore/qarku. Ky informacion nuk përbën rezultat zyrtar.

Pjesëmarrëset në zgjedhje

1.“Aleanca e Ndryshimit”

PD

PR

PAA

PAD

PADS

PBLD

PDI

PLDSH

PLL

PBKD

PBK

PAMIE

PDRE

PFA

PDMR

POSH

2.“Bashkimi për Ndryshim”

PSSH

PSD

PBDNJ

PDS

Partia G99

3.“Poli i Lirisë”

PDK

LZHK

PBDSH

PKSH

PRRL

PRD

4.“Aleanca Socialiste për Integrim”

LSI

PLDLNJ

PSV ‘91

PGJ

PMDE

PTRSH

5. Partia Ligj dhe Drejtësi

6. Aleanca Kombëtare

7. Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›