E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Gumi betohet përpara Presidentit të Republikës

Në praninë e presidentit Bamir Topi, sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, Drejtorit të Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu dhe anëtarëve të kabinetit të Presidentit dhe të ftuarve të tjerë, është zhvilluar ceremonia e betimit të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Gumi bëri betimin përpara Presidentit të Republikës, i cili, pasi i dorëzoi dekretin e emërimit, i uroi ministrit Gumi suksese në detyrën e lartë dhe të vështirë. Ndërkohë ditën e sotme, kreu i shtetit së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, do të niset për një vizitë zyrtare treditore në Kroaci, me ftesë të presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiç. Gjatë qëndrimit në Kroaci, presidenti Topi do të pritet dhe do të zhvillojë bisedime me autoritetet më të larta kroate, presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç, Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebic, si dhe Kryeministrin e Kroacisë Dr. Ivo Sanader. Takimet dypalëshe të Presidentit me këto autoritete të larta si dhe mes delegacioneve zyrtare respektive do të përqendrohen në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok mes Shqipërisë dhe Kroacisë në kuadër të partneritetit si aleatë me të drejta të plota në NATO, të aspiratës integruese të dy vendeve tona për në Bashkimin Evropian, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›