E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumë shtete europiane janë në favor të procesit

21/05/2009  Ministri spanjoll Migel Moratinos flet për liberlazimin e vizave

Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave, por vendimi për këtë vendim të rëndësishëm ende nuk ka një datë të caktuar. Kjo është deklarata që ministri i Jashtëm i Spanjës Migel Moratinos ka dhënë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin shqiptar të Jashtëm Lulzim Basha. Për kryediplomatin spanjoll ende nuk është caktuar një kalendar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendimi do të merret nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian. “Kam mundur të konstatoj se shumë shtete europiane janë në favor të procesit të liberalizimit të regjimit të vizave e më vonë do të bëhen marrëveshje dypalëshe me secilin nga vendet e BE-së. Dhe kur një vend avancon më shumë dhe i plotëson kushtet e sigurisë, ky regjim do t’i jepet më përpara”, - ka deklaruar ministri Moratinos. Ai tha se shpreson që këtë regjim ta përfitojë gjithë zona e Ballkanit Perëndimor së bashku sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ana e tij ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha falënderoi për ndihmën dhe kontributin që Spanja jep në procesin e liberalizimit të vizave. Kryediplomati shqiptar ka theksuar se informoi homologun e tij spanjoll mbi arritjet e vendit tonë në përmbushjen e pikave të udhërrëfyesit: lufta pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, vendosjen e sistemit të prodhimit të dokumenteve të sigurta pasaportave biometrike, të cilat tashme po prodhohen. “Ne kemi bindjen se prodhimi dhe shpërndarja e tyre do të ecë me shpejtësi të madhe”, - ka deklaruar Basha. Për ministrin shqiptar Spanja është një mbështetëse e vendosur e integrimit europian të Shqipërisë. “Rikujtova me kënaqësi mbështetjen që Spanja i dha aplikimit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian që i hapi rrugë së bashku me mbështetjen e të gjitha vendet anëtare aplikimit të Shqipërisë më 28 prill, si një akt madhor i rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE”, - tha Basha. Nga ana e tij ministri spanjoll ka theksuar se Shqipëria pa dyshim që do të jetë pjesë e BE-së. “Do të dëshiroja t’u dërgoja një mesazh qytetarëve shqiptarë, jo vetëm një mesazh shprese, por dhe të një bindje të thellë se Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota e BE-së. Shtetasit shqiptarë do të jenë qytetarë të BE-së, kjo është një rrugë e pakthyeshme”, - deklaroi ai.

Ministri Basha

“Spanja mbështeti fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një ngjarje madhore për Shqipërinë, por edhe si një kontribut shumë i fuqishëm për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit të Europës Juglindore drejt destinacionit të saj natyral: komunitetit europian dhe euroatlantik.”

Ministri Moratinos

“Kam mundur të konstatoj se shumë shtete europiane janë në favor të procesit të liberalizimit të regjimit të vizave e më vonë do të bëhen marrëveshje dypalëshe me secilin nga vendet e BE-së. Dhe kur një vend avancon më shumë dhe i plotëson kushtet e sigurisë, ky regjim do t’i jepet më përpara.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›