Republikanët, fitore historike në Senat
Rrezikohet reforma shëndetësore. Obama: Do të vazhdojmë përpjekjet
Republikanët kanë shënuar të martën një fitore historike dhe të parën, që pas mundjes së dyfishtë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008. Një fitore për një vend të shumëdëshiruar në Senat, që për momentin e ka vënë në rrezik axhendën e Presidentit Obama, një vit pas fillimit të detyrës së tij në Shtëpinë e Bardhë. Një nga pikat më delikate dhe më të rëndësishme të axhendës është miratimi i reformës shëndetësore, e kundërshtuar nga republikanët, të cilët me vendin e ri të fituar në Senat kanë shanse që të vështirësojnë situatën. Bëhet fjalë për zëvendësimin e vendit të lënë bosh nga Senatori Kenedi, pas vdekjes së tij, nga një republikan pak i njohur i Masaçusets, tradicionalisht dhe historikisht një vend i mbajtur nga demokratët. Fitorja e republikanit ka të bëjë më shumë me një revoltë të përgjithshme kundër pasjes nga ana e demokratëve të shumicës në të dy Dhomat legjislative. Fituesi republikan kishte kundërshtarë Prokuroren e Përgjithshme të shtetit, Martha Coakley. “Kjo është kambanë zgjimi për Presidentin amerikan, Obama, dhe për të gjithë demokratët dhe vendin. Amerika është e ngopur me arrogancën që vjen nga Uashingtoni”, deklaroi shefi i stafit gjatë kohës së Presidentit Bush. Për sa i përket demokratëve, ata do të dëmtohen nga kjo zgjedhje, që i heq shumicën me 60 vende në Senat. Për sa i përket fitimtarit Skot Braun, jurist me profesion dhe ish-model që ka pozuar në disa revista femrash me trupin e bukur, deklaroi se do të përdorte votën e tij për të sulmuar planin e demokratëve për reformën në kujdesin shëndetësor, që ishte në prag të fitores pas shumë vitesh, madje dhjetëvjeçarësh përpjekjesh. Demokratët nga ana e tyre janë zotuar që të vazhdojnë me përpjekjen e mbështetjes së kësaj reforme, pavarësisht rezultatit të fundit që ua ka dobësuar shumë pozitat. Braun, në një konferencë për shtyp, deklaroi se reforma shëndetësore duhet të kalonte sërish në Kongres. “Një gjë është e qartë, që votuesit nuk e duan reformën që kushton 1 trilion dollarë dhe që do të peshojë mbi supet e amerikanëve.
Projektligji nuk është debatuar në mënyrë transparente dhe konstruktive, ai dëmton institucionet aktuale shëndetësore, shkatërron shumë vende pune dhe për më tepër e zhyt vendin më shumë në borxhe”, deklaroi republikani i sapozgjedhur. Sipas tij, e gjithë përpjekja duhej nisur nga e para dhe këtë herë gjërat duhet të bëheshin siç duhej. Ai parashikoi se fitorja e tij ka shkaktuar një tronditje në të gjithë Amerikën, ndërsa politikanët kanë nisur që të përgatiten dhe të pozicionohen për zgjedhjet e ardhshme të nëntorit. Obama i bëri një telefonatë Braunit për ta uruar për fitoren dhe për t’i shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit të shpejtë, në lidhje me zgjidhjen e sfidave ekonomike me të cilat po përballet vendi. Për shumë njerëz, vota e djeshme ka pasur edhe simbolikën e një referendumi për mbarëvajtjen e Presidencës “Obama” në vitin e parë të punës dhe, mbi të gjitha, mbi popullaritetin e reformës që ai kërkon të bëjë në sistemin shëndetësor. Demokratët tani janë ose përballë dështimit të reformës, ose përballë operimit me taktika të forta, që nuk do të ishin aspak popullore. Njëra prej tyre do të ishte detyrimi i Senatit që të votonte para futjes së Braunit në këtë institucion e duke përdorur kështu shumicën e humbur në Senat. Një tjetër opsion është ai i bindjes së shumicës demokrate në Senat, që të votonte një version më të dobët të ligjit, që tashmë e ka kaluar sprovën e Senatit. Ndërsa një mënyrë tjetër do të ishte të kalonin ligjin në Senat dhe të shtonin më pas amendamente për çështjet e diskutueshme dhe të debatuara. Në këtë rast do të duhej kalimi vetëm me shumicë të thjeshtë, pra me 51%. Të tria mënyrat do të konsideroheshin si të pandershme nga republikanët, edhe pse disa prej tyre janë përdorur nga vetë Presidenti Bush, në lidhje me një ligj për reduktimin e taksave. Ndërsa opsionet e tjera do të ishin bërja për vete e dy senatorëve republikanë nga ana e demokratëve, ndoshta me koston e koncesioneve të mëtejshme në ligj. Mundja e demokratëve në Masaçusets është paksa ironike, sepse reforma e shëndetësisë ishte e iniciuar dhe e mbështetur fuqimisht për vite me radhë nga senatori i Shtetit Kenedi, madje kjo reformë kishte qenë pasioni i jetës së tij.
#