E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati edicioni i X i festivalit ndërkombëtar të teatrit

12/07/2009  Sarandë, "Butrinti 2000"

Mbrëmjen e 11 korrikut nisin veprimtaritë promovuese të edicionit jubilar të festivalit ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000”. Drejtori artistik i tij festivali, Alfred Bualoti, tha se, zyrtarisht festivali çelet më 11 korrik në mjediset e Hotel “Butrinti”, me një dokumentar udhëtues nëpër 9 edicione, për të vijuar me koncertin e kuintetit “Imperial”, që pritet të vijë nga Korfuzi me drejtuesin e mirënjohur kompozitorin Vladimir Kotani. Bualoti veçon ndihmën e shtetit shqiptar, përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që i ka dhënë çdo vit festivalit, përjashtuar dy vitet e fundit, kur financimi u përgjysmua. “Ne premtuam që do të bënim dhe një paketë me 10 spektakle, për të festuar ashtu siç duhet, këtë 10-vjetor. Por nuk ndodhi ashtu”,- u shpreh Bualoti. Sipas tij, me gjithë këtë mosarritje, në ato përmasa që do të dëshironim, festivali sërish ka prurje të vetat. 12 korriku do të jetë nata e parë e shfaqjeve, kur në skenën e teatrit ngjitet trupa italiane, me një version ndryshe të dramës “Trojanët”, të titulluar “Pasioni i grave të Trojës”. Natën e dytë në skenën e Butrintit vjen “Elektra” e trupës e një kompanie athinase, me sukses të përmasa absolutisht evropiane e më gjerë. Bualoti thotë se në përbërje të kësaj trupe janë edhe pesë artistë shqiptarë. Nata e tretë do të ngjitë në skenë trupën kosovare, që nuk është për herë të parë në Butrint. Bualoti thotë se e veçanta e këtij edicioni është se artistët kosovarë vijnë si teatër i një shteti të ri, me “Fedrën” e Zhan Rasinit, nën regjinë e Fadil Hysës. Nata e 4 është krejt e veçantë, pasi vjen një trupë turke nga Izmiri, me shfaqjen “Dervishi dhe vdekja”, mbi romanin e shkrimtarit boshnjak, Meisa Selimoviç. Nata e fundit sjell një krijim të Katalina Buzojanu, “Kënga e këngëve”. Festivali, i kthyer në një traditë dhjetëvjeçare tashmë, është bërë pjesa më elitare e jetës artistike që shoqëron sezonin turistik në rajonin e Sarandës. E. Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›