E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen bomba e gazit, vdes në spital kryefamiljari

12/07/2009  Plagosen edhe një grua e një fëmijë

Shpërthimi i një bombe gazi i ka kushtuar jetën një 42-vjeçari në qytetin e Beratit, ndërsa ka plagosur rëndë nënën dhe mbesën e tij. Roland Hila humbi jetën mbrëmjen e djeshme në repartin e djegieve pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë ku u dërgua në gjendje të rëndë për jetën nga spitali rajonal i beratit vetëm 24 orë më parë, pas shpërthimit të një bombole gazi në banesën e tij në lagjen “Kodra e Sulmit”. Sipas burimeve të policisë lokale që dhe i referohet lajmit, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në banesën e tij teksa viktima ishte duke gatuar. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se sapo ka shpërthyer bombola e gazit pranë të djegurve kanë mbërritur komshinjtë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë viktimave duke i dërguar këta të fundit me mjete të rastit në spitalin rajonal të Beratit. Më pas kanë qenë mjekët e repartit të urgjencës dhe të djegieve të spitalit të Beratit ata që pasi kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë bërë mjekimet paraprake të tre pacientëve të djegur të dërgojnë në spitalin “Nënë Tereza” dy prej tyre. Ngjarja tragjike për familjen Hila banore e lagjes “Kodra e Sulmit”, në qytetin e Beratit ndodhi pasditen e së mërkurës. Kryefamiljari Rolandi mësohet se kishte montuar një bombul të re gazi në një pajisje elektro-shtëpiake për gatim. Gjatë montimit bombula mësohet se kishte pasur rrjedhje dhe në kohën që është ndezur për t’u vënë në punë ajo ka shpërthyer. Si rezultat mësohet se ngelën të plagosur rëndë 42-vjeçari Hila, dhe një mbesë e tij 10-vjeçare që ndodhej në familjen Hila për pushime, ndërkohë që plagë të lehta mori dhe bashkëshortja e tij, Lida dhe nëna e tij. Bashkëshortët Hila, por dhe mbesa e tyre mësohet se në momentin e shpërthimit ndodheshin në dhomën e gatimit ku ndodhi dhe shpërthimi fatal për 42-vjeçarin. Vlen të përmendet se në rastin e djeshëm shkon në 17 numri i shpërthimit të bombolave të gazit në tre vitet e fundit. S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›