E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e plagosur rëndë, 2 kushërinjtë jashtë rrezikut

12/07/2009  Shembja e ish-depos së drithit

Vetëm tre orë pas nxjerrjes nga magazinat e grumbullimit të Ersekës tre të plagosurit janë dërguar urgjentisht në spitalin e Korçës. Ndihma e parë për ta u dha në spitalin rajonal të Kolonjës, por mandej për një mjekim më të kualifikuar u dërguan në spitalin civil të Korçës. Mes tre të plagosurve është vogëlushja 7-vjeçare Klodiana Shkoza, e cila vazhdon të jetë në gjendje më të rënduar shëndetësore. Ajo ka marrë plagë në kokë dhe trup dhe ka disa fraktura. Sikur të mos mjaftonin plagët ka edhe vështirësi në frymëmarrje për shkak të pamjaftueshmërisë së ajrit kur u bllokua nën betonin e tarracës. Mjekët kirurgë të spitalit të Korçës e kanë izoluar në reanimacionin e kirurgjisë dhe po i kryejnë mjekim intensiv për ta ndihmuar vogëlushen t’i shpëtojë rrezikut. Po në pavijonin e kirurgjisë gjenden edhe dy të plagosurit e tjerë Altini 23 vjeç dhe Elisi 12 vjeç. Gjendja e tyre shëndetësore është relativisht më e mirë. Mjekët kanë bërë të ditur se sapo i sollën nga Kolonja i vizituan dhe bënë gjithë ekzaminimet nëpër aparatura, për të vlerësuar realisht gjendjen dhe për t’i ndihmuar për kurim sa më të mirë. Si Altini dhe Elisi ankohen për dhimbje të madhe në kokë dhe shpinë. Altini ka edhe një frakturë në këmbën e djathtë, të cilën ia kanë hedhur në allçi. Duke folur për gazetën ai ka treguar ngjarjen. “Po nxirrnim hekur për të shitur, u shpreh ai me një zë të mekur, kur nxorëm një shufër hekuri na ra betoni i çatisë duke na marrë nën vete. Unë isha me tre kushërinj dhe një kushërirë të vogël”. Ai nuk e dinte se dy kushërinjtë e tij Fatjoni 22 vjeç dhe Shkëlzeni 12 vjeç nuk dolën të gjallë nga kjo tragjedi, ndaj kur e pyetëm se si janë me shëndet kushërinjtë u përgjigj: “Nuk di ç’të them, ca më thonë janë mirë, ca më thonë se i kanë dërguar në Tiranë”.

Përpjekjet për të siguruar mbijetesën duke shitur hekurishte i çoi pesë kushërinj Shkoza drejt rrezikut. Duke u përpjekur për t’i rrëmbyer sa më shumë hekur tarracës prej betoni të një magazine të grumbullimit në dalje të qytetit të Ersekës ata dëmtonin konstruksionin mbajtës të ndërtesës duke provokuar shembjen e saj. Në këtë çast të pesë kushërinjtë Shkoza mes të cilëve dy të rritur dhe tre fëmijë nga 7 deri 12 vjeç mbetën nën shtresën e betonit që ra nga çatia brenda në magazinë. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›