E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 7200 euro për udhëtimin në Manastir

 

Pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Manastirit do të mund të zhvillojnë pelegrinazhin e tyre drejt ndërtesës së alfabetit, me rastin e 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje. Pas një letre dërguar pushtetarëve(Presidentit të Republikës, kryeministrit, kryebashkiakut, etj), ku u kërkonin ndihmë financiare, por edhe më shumë respekt për pasardhësit e atyre njerëzve, që hartuan alfabetin shqip, qeveria ka firmosur një shumë prej 7200 eurosh. Me këtë fond do të mbulohet udhëtimi dhe qëndrimi në Manastir i 50 pinjollëve. Janë nipër e stërnipër të Frashërllinjve, Topullarëve, Vrionasve, Qiriazëve, Luarasëve, Zavalanëve, për të vijuar me pasardhës së Shahin Kolonjës, Dhimitër Budës, Hilë Mosit, Luigj Gurakuqit etj., që do të marrin rrugën, për të vënë një kurorë me lule, si dhe germat e para të alfabetit, në godinën e Kongresit. Në këtë shekull alfabeti, gjithë këta pasardhës të shpërndarë nëpër Shqipëri, u mblodhën për herë të parë, vetëm pak ditë më parë në takimin "Të nderojmë veprën e rilindësve dhe të forcojmë dashurinë për gjuhën tonë, vlera më e madhe e kulturës kombëtare". Pasi kanë siguruar mbështetjen financiare, ky grup prej 50 vetash, do të mund të marrë pjesë në aktivitetet e parashikuara në Manastir.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›