E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati formula e ndarjes së re zonale

31/01/2005  

Grupi i posaçëm i punës për ndarjen e re elektorale, do të përfundojë këtë javë takimet për gjetjen e konsensusit. Burimet kanë bërë të ditur se, përfaqësuesit e OSBE-së kanë dhënë argumentet e tyre, për të arritur në një gjuhë të përbashkët mes përfaqësuesve të socialistëve dhe atyre të Partisë Demokratike. Megjithatë, vetëm sot pritet të rinisin takimet, ku do të rishqyrtohet ndarja e kufijve të Tiranës, Shkodrës dhe Dibrës. Deri më tani, është arritur në konsensusin për të hequr një deputet nga zona e Vlorës dhe një nga Berati. Ndërsa, në ndarjen e këtyre dy deputetëve, kanë nisur përplasjet. Ndonëse është arritur në mirëkuptimin që kryeqyteti të ketë dhe një deputet më shumë, ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët për zonën e dytë. Socialistët pretendojnë se, Dibra ka më shumë votues nga sa lejohet për mesatare, ndaj duhet të ketë një deputet më shumë. Ndërsa demokratët kanë theksuar se, me zhvillimet e fundit demografike, Shkodra ka një numër votuesish shumë të madh. Ndaj, dhe zona e dytë, duhet ti kalojë këtij qyteti. Megjithatë, është lënë e hapur mundësia që kjo zonë të qëndrojë në Tiranë, pasi në kryeqytet janë vendosur një numër mjaft i lartë shqiptarësh. Megjithatë, një ndikim të veçantë pritet të ketë dhe puna që po bëhet në regjistrimin e zgjedhësve. Një tjetër pikë kyçe që do të zgjidhet në këto ditë, do të jetë dhe ndarja e zonave zgjedhore që kanë votues minoritarë. Këta të fundit, kanë deklaruar se do të bojkotojnë zgjedhjet, në rast se do u preken interesat e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›