ISKSH, kontrolle të befasishme në poliklinika
Gjobë ndaj 140 mjekëve të familjes, ulje në detyrë në rrethe të dy drejtorëve të qendrave shëndetësore dhe paralajmërim për pushim nga puna ndaj 9 mjekëve dhe 7 infermierëve. Këto janë disa prej penalizimeve që ka vendosur Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor gjatë kontrolleve të ushtruara në qendrat shëndetësore të vendit në periudhën janar - tetor. Kontrollet janë përqendruar në vlerësimin dhe zbatimin e kontratave me qendrat shëndetësore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të kujdesit parësor. “Janë kontrolluar 10 rajone të vendit në kontrolle periodike dhe kontrolle të befasishme në lidhje me zbatimin e orarit të shërbimeve shëndetësore. Janë kontrolluar 87 qendra shëndetësore dhe 298 mjekë të familjes të kontraktuar me këto qendra”, - u shpreh drejtori i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH, Pjerin Kodraçaj. Në disa qendra shëndetësore të rajoneve Lezhë, Berat, Dibër dhe Tiranë, nuk janë gjetur në vendin e punës brenda orarit të miratuar të ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Janë rekomanduar masa disiplinore “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” ndaj 9 mjekëve dhe 7 infermierëve të kontraktuara me këto qendra. Shkelje në trajtimin e të sëmurëve me barna me rimbursim, duke shkelur protokollet e përdorimit të barnave, përcaktimet e listës së rimbursueshme, mosargumentim të vendosjes së diagnozës dhe mangësi të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimit; për këtë është rekomanduar masa zhdëmtimi ndaj 110 mjekëve në vlerë totale 780 mijë lekë.