“Gërdeci”, kërkohen dëshmitarë në proces Mediu, Alibeaj e Bumçi
Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e tre të pandehurve, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, për gjykim të shkurtuar. Sipas trupit gjykues, kërkesa duhet të ishte paraqitur nga vetë të pandehurit, që të merrej në konsideratë. Në procesin gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve, të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, u kërkua që të paraqitej si dëshmitar edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Njëri prej të pandehurve në këtë proces, Ndue Marku, që ka pasur funksionin e ish-drejtorit juridik në Ministrinë e Mbrojtjes, i kërkoi dje trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ritvan Hado, thirrjen si dëshmitar të Mediut, Enkelejd Alibeajt si ish-anëtar në Komisionin e Ligjeve, si dhe Aldo Bumçit, në cilësinë e ish-ministrit të Drejtësisë. Deklarata e tij në proces ka qenë që tre dëshmitarët e kërkuar “të vijnë në proces për pafajësinë time”. Kërkesë tjetër e Markut ka qenë që si dëshmitarë të thirren edhe ekspertët amerikanë. Avokati i të pandehurit Dritan Minxholli shpjegoi dje se detyra e klientit të tij ka qenë kontrolli i zbatimit të procedurave të punës, të tipit të mos lejohet pirja e duhanit, si dhe kontrollimi i kushteve të punës. Mbrojtja kërkoi thirrjen në proces të ekspertëve amerikanë. Në seancën e djeshme foli edhe avokati mbrojtës i Ylli Pinarit, i cili deklaroi se tragjedia e Gërdecit nuk ishte një aksident, por një sabotazh me minë me sahat. Ndërkohë që avokati mbrojtës i të pandehurit Luan Hoxha, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ka bërë të ditur se përzgjedhja e Gërdecit si vend ku do demontoheshin municione, nuk është kompetencë e Forcave të Armatosura e për pasojë e shefit të shtabit, por ka qenë ministri i Mbrojtjes, i cili ka urdhëruar ndërtimin e fabrikës në Gërdec. Avokati Ibrahim Lahi sqaroi se nuk është kompetencë e Forcave të Armatosura ruajtja e sigurisë së ambienteve të një kompanie private, sikurse ishte fabrika e demontimit të armëve në Gërdec. Sipas mbrojtësit të Hoxhës, Mediu kishte urdhëruar përfshirjen e ushtrisë në transportin e municioneve në Gërdec për llogari të kompanisë “Albademil”, ndërkohë që përzgjedhja e armatimit të kalibrit të lartë nuk është bërë nga Forcat e Armatosura. Mbrojtja pretendoi gjithashtu, se disa urdhra janë dhënë nga ish-ministri Mediu, pa dijeni të klientit të tij.
Padi ndaj Mediut nga familjarët e viktimave të Gërdecit
Familjarët e tragjedisë së Gërdecit kryen një padi penale në Gjykatën e Lartë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Padia u krye nga familjaret e dy prej të dëmtuarve në këtë tragjedi, Alketa Hazizaj dhe 10-vjeçari Roxhers Durdaj. Kallëzimi është depozituar dje nga kryetari i shoqatës së viktimave të Gërdecit, Ferizan Durda. Në kërkesën e tyre familjarët shpjegojnë që gjykata ka edhe funksionin e saj hetues, për këtë arsye mund të kërkojë në Kuvend heqjen e imunitetit të Mediut, duke lënë mënjanë prokurorinë. Durda u shpreh se “më janë bashkangjitur edhe shumë të dëmtuar që kanë qenë të plagosur në katastrofën e Gërdecit, edhe sot dy prej të cilëve që kanë qenë të plagosur rëndë edhe sot vuajnë plagët e asaj katastrofe po bëjnë një padi penale për Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Padia bëhet për drejtësi dhe bëhet që të vendoset drejtësi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu”.