E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti; Çerdhe e kopsht në të njëjtën godinë



Në të njëjtin terren ndërtimi dhe kulm do të ndërtohet me funksione edhe si kopsht edhe si çerdhe. Projekti i fundit i Bashkisë së Tiranës “Kopshti i integruar” parashikon ngritjen e një godine dykatëshe, në të cilën kati i parë të shërbejë për kopsht dhe kati i dytë për çerdhe. Në gjithë Tiranën do të ketë dy godina të tilla, njëra do të jetë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në njësinë bashkiake nr. 7 dhe tjera në zonën e ish-Fonder-Mekut, në njësinë bashkiake nr. 1. “Objektivi i këtyre kopshteve të integruara është krijimi i një ambienti sa më të qetë dhe ndërveprues, i cili ka si qëllim të nxisë shoqërizimin, faktor ky i rëndësishëm për një rritje sa më të shëndetshme të fëmijëve, bazuar në fazat e ndryshme dhe ritmet të zhvillimit individual, por duke mbështetur njëkohësisht edhe familjen në detyrën e saj fisnike, për edukimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve”, - shprehen burime pranë bashkisë. Në mjediset e katit të parë, mendohet të vendosen fëmijët 3-6 vjeç, për shkak të aftësive motorike më të zhvilluara të tyre dhe në mjediset e katit të dytë, mendohet të vendosen fëmijët disamuajsh, deri në 3 vjeç. Kopshti i integruar në ish-Fushën e Aviacionit, bazuar në kriteret urbane, është planifikuar të ndërtohet në një sipërfaqe territori 4000 m2 . Godina do të ketë sipërfaqe ndërtimi prej 800 m2. Ky ndërtim është projektuar 400 m2 për çerdhe dhe 400 m2 për kopsht, duke plotësuar të gjitha ambientet. Kopshti dhe çerdhja do të kenë mjediset e jashtme të përbashkëta, ndaj ato do të pajisen me të gjitha mjediset e nevojshme për formimin dhe edukimin shkollor dhe fizik të fëmijëve. Rrethinat e godinës kopsht/çerdhe plotësojnë nevojat për ambiente dhe ajër të pastër si dhe për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe të lojës për të gjitha grupmoshat e fëmijëve. Ato janë pajisur me sipërfaqe me bar, me tenda druri, ku fëmijët mund të luajnë gjatë periudhës së verës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›