Gati komisioni hetimor për tragjedinë e Gërdecit
Kuvendi ka futur për miratim në kalendarin e punimeve propozimin e LSI-së për të ngritur dhe krijuar komisionin hetimor parlamentar për zbardhjen e të vërtetës së tragjedisë së Gërdecit. Dy javë më parë, kërkesa e depozituar nga LSI-ja u miratua në parim nga Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, ndërkohë që javën e ardhshme pritet që të votohet për t’u miratuar krijimi i tij në Kuvend. Komisioni hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së ministrisë së Mbrojtjes lidhur me zhvillimin e reformave në fushën e mbrojtjes që siguron anëtarësimin në NATO dhe çështjet e sigurisë kombëtare që rrjedhin nga problematika që ka krijuar procesi i çarmatimit do të ketë në përbërje të tij 13 anëtarë, nga të cilët 6 nga opozita. Ky komision do të drejtohet nga opozita dhe sipas të gjitha gjasave, ai do të drejtohet nga një prej deputetëve të LSI-së, të cilët kanë bërë kërkesën për krijimin dhe funksionimin e tij.
5 Prill 2008