Meta-Miliband, vlerësohet ftesa e Shqipërisë në NATO
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ishte i ftuar dje në Londër, në Konferencën Ndërkombëtare të Qeverisjes Progresive të organizuar nën kujdesin e qeverisë britanike, ku mori pjesë edhe kryeministri Gordon Braun. Gjatë qëndrimit në Londër Meta u takua me sekretarin e Jashtëm britanik, David Miliband. Sekretari i Jashtëm britanik e uroi zotin Meta për ftesën që Shqipëria mori dje për anëtarësimin në NATO dhe u shpreh se kjo ishte një ditë e madhe për Shqipërinë. Sekretari i Jashtëm Miliband shprehu dëshirën që Shqipëria të vazhdojë rrugën e integrimit në NATO dhe BE, duke realizuar standardet e kërkuara. Ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për aspiratën europiane të popullit shqiptar. Ndërsa lideri i LSI-së, z. Meta, duke i shprehur mirënjohjen qeverisë britanike për mbështetjen e pakursyer për integrimin e Shqipërisë në NATO, konfirmoi vendosmërinë për të realizuar standardet dhe reformat e munguara deri tani.
Meta vlerësoi përkrahjen e qeverisë britanike për pavarësinë e Kosovës dhe theksoi se shqiptarët do të kontribuojnë edhe më shumë për forcimin dhe përshpejtimin e proceseve integruese në rajon, si rruga e vetme për të forcuar stabilitetin dhe paqen dhe për të garantuar prosperitetin dhe mirëqenien e popujve tanë.
Meta theksoi se “ne shpresojmë që edhe Maqedonia sa më shpejt të marrë ftesën për në NATO, pasi kjo do të ishte në përfitim të gjithë rajonit, paqes dhe stabilitetit të tij”. Një takim të veçantë lideri i LSI-së, Meta, zhvilloi me komisionarin europian për Tregtinë, z.Peter Mendelson. Meta u takua gjithashtu me ministrin e Brendshëm italian, ish-kryeministrin Xhuliano Amato, me ish-kryeministrin rumun Adrian Nastase dhe me shumë personalitete të tjera të larta. Meta ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane (PSE), z.Filip Kordery. Gjatë bashkëbisedimit Meta dhe Kordery kanë diskutuar për disa çështje të rëndësishme, duke u ndalur gjerësisht edhe përsa i përket çështjes së Reformës zgjedhore.
5 Prill 2008