Gati lejet e përdorimit për 543 apartamente
Gati hipotekat për 543 apartamente në Tiranë. Bashkia pritet tu ndajë subjekteve ndërtuese lejet e përdorimit brenda këtyre dy ditëve. Gjithçka e konfirmuan burime zyrtare nga ky institucion. Janë 2172 qytetarë që përfitojnë nga ky vendim.
Pavarësisht plotësimit të dosjeve nga Bashkia, vetë subjektet ndërtuese vijojnë të jenë neglizhente me dokumentacionin, duke mbajtur peng mijëra familje, të cilat apartamentet e tyre i kanë blerë pa hipoteka.
Në total në kryeqytet janë 130 objekte, ndërtuesit e së cilëve kanë pasur mangësi me dokumentacionin. Bëhet fjalë për 2000 apartamente.
Vetë kreu i Bashkisë së Tiranës ka tërhequr vëmendjen disa herë për këtë problematikë. Në një takim të disa muajve më parë me ndërtuesit ai mbajti një qëndrim të prerë, duke paralajmëruar edhe penalizime. Është e pamoralshme të paraqiteni në dyert e Bashkisë vetëm kur keni nevojë, vetëm për të zgjidhur një problem tuajin dhe atëherë kur kërkohet të zgjidhni problemet e një kolektivi të tërë klientësh apo ish-klientësh që kanë paguar për banesat e tyre, ta kemi të vështirë tju gjejmë me celularë, e-mail, adresë apo me korrierë. Ky nuk është partneritet, ka deklaruar kryebashkiaku disa muaj më parë, gjatë një takimi me ndërtuesit. Pas përfundimit të dosjeve nga Bashkia udhëzimi për mënyrën si do të regjistrohen objektet parashikon një tjetër hallkë. Në rastet kur Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës konstaton se për objektet e ndërtuara me leje ndërtimi janë lëshuar lejet e shfrytëzimit, brenda 5 ditëve nga ky konstatim, informon Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, thuhet në udhëzim. Sipas tij, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda 30 ditëve nga data e administrimit të lejeve të shfrytëzimit dhe të lejes së sheshit të ndërtimit, verifikon nëse objektet për të cilat janë lëshuar leje shfrytëzimi janë të regjistruara. Kur konstaton se objekti për të cilin është lëshuar leja e shfrytëzimit nuk është regjistruar, i kërkon Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës përcjelljen e dokumentacionit të parashikuar.
Sipas tij, procesi nuk do të bllokohet, por, për pasojë, Bashkia po detyrohet të devijojë më shumë burime njerëzore e financiare, të angazhojë kolaudues privatë me fondet e veta. Natyrisht, janë fonde të taksapaguesve për të përmbyllur një proces që mbeti i hapur për shkak të papërgjegjshmërisë të disave, është shprehur Basha. Ligji i ri për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme parashikon gjoba për vonesat në dokumentacionin për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme.
Lejet e perdorimit
Numri i apartamenteve është: 543Përfitojnë: 2172 banorë
Sipërfaqja e apartamenteve: 57 090 m2
Sipërfaqe shërbimi: 13 035 m2
Sipërfaqe parkimi: 25 707 m2
Sipërfaqja totale: 100 132 m2