E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha ngushëllon familjen e ish-kryetarit të degës së PD-së në Vlorë

Kryeministri Sali Berisha ngushëlloi familjen e të ndjerit Shpëtim Xhyheri, duke çmuar veprën madhore të tij, në shërbim të atdheut si një organizator i vyer i Partisë Demokratike të Vlorës në kohët e saj më të vështira. “Ndarja e parakohshme nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, Shpëtimit, mikut tim dhe veprimtarit të shquar të Partisë Demokratike, është një humbje e madhe e pa kompensueshme për ju, për miqtë e Shpëtimit, për Vlorën dhe Partinë Demokratike. Shpëtim Xhyheri ishte një qytetar dhe prind shembullor, një udhëheqës, organizator i çmuar i Partisë Demokratike të Vlorës në kohët e saj më të vështira. Ai ishte një zyrtar i përkushtuar, atdhetar i flaktë, vepra dhe kontributi i të cilit do të kujtohet gjithmonë.Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë nga kjo humbje e rëndë, lutem që ju të gjeni forcën për të përballuar atë me dinjitet dhe që shpirti i Shpëtimit të gjejë paqen që meriton”, shpreh në telegramin e tij të ngushëllimit, drejtuar familjarëve të të ndjerit Shpëtim Xhyheri, kryeministri i vendit Sali Berisha.

Shpëtim Xhyheri, u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare. Shpëtim Xhyheri, ish kryetari i degës së PD-së Vlorë, në vitin 2003-2004 dhe gjithashtu ish drejtor i Portit të Vlorës, është vetëvrarë me armë gjahu në gjoks. Ai është gjetur i vetëvrarë në banesë nga bashkëshortja e tij. Mendohet se shkak i vetëvrasjes së Xhyherit të ketë qene depresioni. Sipas informacioneve Xhyheri ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Vlorës. 

Nekrologji

Shpëtimi erdhi në jetë në 25 shtator 1943 në familjen e patriotit Muharrem Xhyherit dhe Nafiqesë. Xhyherat ishin ndër familjet e vjetra qytetare vlonjate të brumosura me ndenja patriotike e liridashëse. Gjyshi i tij, Aziz Xhyheri ishte mbështetës, pjesëmarrës në aktin madhor të ngritjes së Flamurit në Vlorë, së bashku me patriotë të tjerë vlonjatë. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1961, kreu gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës. Pas përfundimit të gjimnazit, kreu studimet e larta në Institutin Pedagogjik ku diplomohet në degën matematikë-fizikë. 

Për shumë vite, deri në vitin 1989 ka punuar si mësues në fshatrat Sevaster, Poro, Llakatund, Nartë, Mekatë. Kudo që punoi la gjurmë, duke u konsideruar figura e një njeriu model, korrekt dhe human. Atë periudhë të vështirë që mbante edhe peshën e patriotizmit të familjes Xhyheri e përballoi me dinjitin që e karakterizonte. 

I dëshiruar për ardhjen e demokracisë u përfshi në lëvizjen demokratike ndër të parët. Ka qenë një ndër themeluesit e PD të qytetit të Vlorës. Zgjidhet në strukturat drejtuese të PD, qysh prej fillimit. 

Në vitin 1991 zgjidhet në strukturat drejtuese të PD dhe të pushtetit lokal. 

Emërohet në vitin 1991 shef organizmi dhe nënkryetar i Rrethit Vlorë. 

Në vitin 1996, zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit. 

Në vitin 1997, zgjidhet Kryetar i grupit të Këshilltarëve të PD, duke mbajtur njjë qëndrim dinjitoz në mbrojtje të opozitës në Këshillin Bashkiak. 

Në vitin 1999-2001, zgjidhet nënkryetar i PD 

Nga viti 2001-2004, Kryetar i PD të rrethit të Vlorës dhe Kryetar i grupit të këshilltarëve të PD. 

Në vitin 2006, emërohet Drejtor i Portit Detar Vlorë deri në vitin 2007, kur mbylli karrierën e tij. 

Jo rastësisht, Shpëtim Xhyheri ishte qytetar i ndershëm, njeri i devotshëm, miku i respektuar dhe familjari korrekt. 

Me ndarjen e Shpëtimit nga jeta, familjes, të afërmve, miqve do t’u mungojë njeriu i tyre më i afërt, partisë, intelektuali më i devotshëm.

Astrit Patozi, Hasan Halili, Agron Sharra, Gjergj Lezhja, Bujar Leskaj, Ardian Kollozi, Fahri Balliu, Laureta Bejosalla, Luftar Cakrani, Enver Memisha, Ajen Grabova, Dorothe Konomi, Genc Panozaqi, Remzi Haxhiu, Ismet Mersini, Paquze Petriti, Spiro Çaushi, Petraq Truja, Tanush Shaska, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›