E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati marrëveshja midis universitetit të Tiranës dhe Podgoricës

14/03/2005  Zyra e shtypit pranë Presidentit të Republikës njofton:

Presidenti Moisiu viziton Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Univerisitetin e Malit të Zi

Në ditën e dytë të vizitës në Malin e Zi, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, bëri një vizitë në Universitetin e Malit të Zi në Podgoricë, i cili është themeluar 30 vjet më parë dhe numëron rreth 16000 studentë. Rektori Stankoviç e njohu Moisiun me strukturën e këtij universiteti dhe ka nënvizuar rëndësinë që i kushtojnë ata projekteve të përbashkëta me Universitetin e Shkodrës, të cilat trajtojnë probleme të ekosistemeve në këtë zonë.

Ai u shpreh se janë të gatshëm për të pritur bashkëpunim edhe me Universitetin e Tiranës dhe theksoi, se programi aktual i fakultetit të gjuhës shqipe, i cili është hapur rreth një vit më parë, kërkon edhe bashkëpunim me profesoratin e Universitetit të Shkodrës.

Presidenti Moisiu përshëndeti të pranishmit, pedagogë dhe studentë, për hapjen e Fakultetit të Gjuhës Shqipe, i cili do të përgatisë mësues, për edukimin e fëmijëve shqiptarë, që banojnë në Malin e Zi. Duke shprehur kënaqësinë për hapjen e këtij fakulteti dhe rëndësinë që ka për edukimin e brezit të ri, dashurinë për gjuhën dhe kulturën kombëtare, Presidenti Moisiu tha, se anëtarët e pakicës shqiptare janë qytetarë të Malit të Zi dhe ata kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi, duke ruajtur traditat dhe gjuhën e tyre siç e kërkojnë standartet evropiane. Presidenti Moisiu, duke përcjellë mendimin e përfaqësuesve të pakicës shqiptare vuri në dukje, se Fakulteti i Gjuhës Shqipe mund të funksionojë pranë vendit ku jetojnë më shumë shqiptarë, për shembull në Ulqin.

Gjithashtu Presidenti Moisiu, e pa me vend bashkëpunimin ndëruniversitar mes Shqipërisë e Malit të Zi për të shkëmbyer përvoja, programe, profesorë në fuksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies e të karakterit akademik për studimin e gjuhës, kulturës e traditës sonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›