E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetvritet kryeinspektori i qarkullimit

14/03/2005  Gëzim Nurka, vuante nga depresioni. U gjend i vdekur në banesë

I jep fund jetës kryeinspektori i qarkullimit rrugor. Gëzim Nurka u gjet i vetvrarë dje paradite në shtëpinë e tij. Viktima kishte qëlluar veten në kokë me një plumb pistolete TT, që e posedonte në organikën e punës. Policia dyshon se 47-vjeçari i dha fund jetës pas një tronditjeje të rëndë psiqike. Ai kishte disa vjet i divorcuar nga e shoqja dhe jetonte me të ëmën. Ulje-ngritjet në detyrë vështirësuar gjendjen psikologjike të viktimës. Përcillet nga kolegët për në banesën e fundit.

Ngjarja

Ora 10:30 e së djeshmes ka shënuar vetvrasjen e përgjegjësit të linjave në komisariatin e qarkullimit rrugor të Tiranës. Burime zyrtare nga ky dikaster shprehen se Gëzim Nurka u gjet i vdekur në dhomë, nga nëna e tij e moshuar. Ajo ka rrëfyer për blutë se dëgjoi të shtënën e pistoletës dhe nxitoi të shihte se mos i biri e kishte shkrehur pa dashje. Asaj nuk i kishte shkuar asnjëherë në mendje se 47-vjeçari mund ta kishte qitur plumbin e vetëm të TT-së në kokën e tij. "Ishte shumë mirë nga të gjithë drejtimet. Ai nuk vuante sepse unë i qëndroja shumë pranë. I mungonin fëmijët, por tanimë kishte nisur ta konsideronte divorcin si problem të shkuar", ka dëshmuar nëna e tij para bluve. Të njëjtat burime saktësojnë se në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë polici ae cila nisi hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në pak orë lajmi i vetvrasjes u përhap në gjithë kolektivin e punës së viktimës. I gjithë komisariati i qarkullimit rrugor mori pjesë pasditen e së djeshmes në ceremoninë e tij mortore. Ata u shprehën se kolegu i vetvrarë kishte qenë ndër më të respektuarit në komisariat dhe se nuk kishte patur probleme pune që të mund ta shtynin drejt aktit final. Periudhën e fundit ai kryente detyrën e përgjegjësit të linjave në këtë strukturë të policisë.

Motivet

Ndonëse nuk kanë kaluar as 24 orë nga vetvrasja e Gëzim Nurkës, grupi hetimor i komisariatit nr 1 arrin të hedhë dritë mbi motivet që e shtynë kryeinspektorin ti jepte fund jetës. Të njëjtat burime nga drejtoria e policisë së qarkut bëjnë të ditur se 47-vjeçari kishte nisur të vuante kohët e fundit nga një depresion i rëndë. "Viktima kishte disa vjet që ishte divorcuar me gruan. Gjyqi ia kishte besuar asaj fëmijët, duke i mohuar Nurkës të drejtën e qëndrimit me të. Ata i takonte shumë rrallë, pasi ndarja e prindërve i kishte afruar fëmijët më tepër me të ëmën. Kësisoj, ata dëshironin rrallë e më rrallë ta shihnin të atin. Ky fakt e bënte oficerin e qarkullimit rrugor që të ndjehej i vetëm", saktësojnë burimet. Paskëtaj, mësohet se ai kishte shkuar të banonte me të ëmën e moshuar, e cila jetonte tek një shtëpi pranë sheshit "Avni Rustemi". Megjithë afinitetin që mund ti ofronte nëna, duket se Gëzim Nurka ndjehej shumë i paplotësuar. Anipse nuk shprehej, atë e brente përbrenda ideja se kishte mbetur pa familjen e tij. Duke mos patur asnjë mundësi për të rikthyer pas të kaluarën, ai i dha fund jetës, duke përdorur armën e punës. Por, nuk përjashtohet mundësia që gjendja e tij mendore të jetë rënduar dhe nga ulje-ngritjet në detyrë. Nurka ka kryer detyra të ndryshme në policinë e shtetit, duke nisur nga oficer roje, tek inspektor i thjeshtë apo kontrollor linjash. Hetimi po shqyrton disa pista në kërkim të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›